PATRICK SCHICK
Sulmuesi më i rrezikshëm çek, pritet të mungojë në përballje ndaj Kosovës
4 November, 2019 @23:44
Ish futbollisti i Sampdorias dhe Romës, që tash djersit fanellën e Leipzigut në Bundesligë, Patrik Schick, pritet të mos jetë në listën e ftesave të selektorit të Çekisë, Jaroslav Silhavy.
Çekia nesër, më së largu pasnesër do të publikojë listën e lojtarëve të ftuar për përballjet e fundit kualifikuese për EURO 2020, ndaj Kosovës në shtëpi dhe ndaj Bullgarisë si mysafir.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE DREJT EURO2020
Schick ka shënuar 4 nga 11 golat e Çekisë në këto kualifikime (2 ndaj Bullgarisë, 1 ndaj Malit të Zi dhe 1 ndaj Kosovës).
Sipas raportimit të gjermanes Kicker, ekipi i Leipzigut është duke negociuar me Federatën e Futbollit të Çekisë për mos-lëshimin e lojtarit në grumbullimin e radhës, për shkak të lëndimit që pësoi në tetor dhe nuk dëshirojnë të rrezikojnë përsëri mungesën e tij.
Sulmuesi 23 vjeç nuk ka luajtur asnjë ndeshje për Leipzigun që nga dueli miqësor i Çekisë ndaj Irlandës së Veriut (14 tetor), pas fitores së madhe dhe befasuese ndaj Anglisë (11 tetor).
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE DREJT EURO2020
Çekia kërkon fitore ndaj Kosovës për të siguruar kualifikimin për në EURO 2020. Kosova në anën tjetër, me një fitore ndaj Çekisë, do t’i shtojë gjasat për kualifikimin e parë dhe histori në një kampionat evropian.
Kujtojmë, Kosova kishte mposhtur Çekinë në Prishtinë në përballjen e parë të grupit mes reprezentacioneve, kur kishte përmbysur epërsinë e tyre 0-1 të ardhur pikërisht nga Patrik Schick, me anë të golave të Vedat Muriqit dhe Mërgim Vojvodës.