MILAN 1-2 LAZIO
Pas 30 vitesh, fiton Lazio
3 November, 2019 @23:16
Lazio ka arritur të shënojë fitore të rëndësishme ndaj Milanit sonte në San Siro, 1-2.
Fitorja përveç që mban Lazion në garë për një vend në TOP 4 të Serie A-së, karakteristike është se kjo ka qenë fitorja e parë e lacialëve pas 30 vitesh në San Siro në ndeshjet e ligës italiane. Herën e fundit kur Lazio e kishte mposhtur Milanin në San Siro në ndeshjet e Serie A-së daton nga viti 1989, kur Paolo Maldini i kishte dhënë fitoren atyre me autogol!
Dyshja e sulmit romak është treguar fatale për rossonerët që s’kanë të këndellur. Së pari Ciro Immobile ka shënuar për epërsinë 0-1 (25’), ndërsa Joaquin Correa i ka sjellë fitoren ekipit të Simone Inzaghit me golin e tij për 1-2 (83’).
Milan barazoi në pjesë të parë, kur një prekje e Krzystof Piatekut u devijua nga Bastos për 1-1 (28’).
Njëshi i kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha ishte për 90 minuta në portë, dhe pati disa intervenime të rëndësishme, posaçërisht të tentimeve të Hakan Çalhanoglut nga largësia, ndërsa mesfushori i Kosovës Valon Berisha qëndroi në bankë për 90 minuta në fitoren e ekipit të tij.
Milan, sot një javë takohet me Juventusin në Torino. Ndërsa Lazio pas Celticut në mesjavë, do të ndeshet me Leccen në Olimpico.
Me këtë ndeshje është mbyllur xhiroja e njëmbëdhjetë e Serie A-së, ku Lazio është e katërta me 21 pikë, ndërsa Milan i 11-ti me 13.