ISTOGU 0-2 ARBËRIA
Llugiqi e Bahtiri, për t’i dhënë shpresa Superlige Arbërisë
2 November, 2019 @19:11
Skuadra e Arbërisë ka shënuar fitoren e radhës në Ligë të Parë të Kosovës. Ekipi ka arritur të befasojë Istogun në Demush Mavraj sot, për t’i ndalë këta të fundit nga tentimi për krye të tabelës, ndërkaq kuqezinjtë nga Dobraja e Lipjanit tashmë kanë pikë të njëjta me kryesuesin e kësaj lige, Lirinë e Prizrenit.
Pas pjesës së parë të përfunduar pa gola, Istogu ka pasur raste të arta shënimi me Qëndrim Jahajn dhe Florent Rexhajn e Endrit Malokun. Goli nuk erdhi. Goditjen e Jahajt e mbrojti portieri mysafir, të Rexhajt e ndali shtylla, ndërsa portieri reagoi shumë mirë edhe në tentimin e Malokut.
Kur s’shënon, pranon. Kjo i ndodhi Istogut sot. Dhe në skenë dolën Agon Llugiqi (84’) dhe Kreshnik Bahtiri (90’) që me golat e tyre i dhanë fitoren e madhe Arbërisë në Istog, duke iu shkaktuar këtyre të fundit humbjen e parë të stinorit në shtëpi.
Arbëria tash ka 22 pikë dhe gjendet në pozitën e tretë të Ligës së Parë vetëm në saje të golaverazhit, ndërsa me pikë është baraz me dyshen mbi ta, Lirinë e Malishevën.
Istogu në anën tjetër, ka rënë në pozitën e katërt, me 21 pikë.