TREPÇA'89 1-0 VUSHTRRIA
E shtata e Manajt mjaftoi për 3 pikë
2 November, 2019 @17:15
Sulmuesi i ri i Trepçës’89, Arb Manaj, është treguar përsëri vendimtar për skuadrën e tij. Ai ka shënuar golin e shtatë të stinorit sot, ndërsa i ka sjellë fitoren ekipit të drejtuar nga Shpëtim Idrizi, që tashmë rrin në hap të mirë me pjesën e epërme të tabelës.
‘89-shi ka mposhtur Vushtrrinë në Riza Lushta, në momentin kur Manaj shënoi 5 minuta para fundit të pjesës së parë. Ai shfrytëzoi një moment jokoncentrimi në mbrojtjen mysafire për të qëlluar rrjetën e portierit Tahiri për 1-0 (40’).
Ndeshja nuk është se ka pasur shumë raste, ndërsa vushtrriasit u treguan shterp sot, para se mitrovicasit të ndezin edhe njëherë motorët në minutat e fundit të ndeshjes kur tentuan me Gëzim Rusin (85’) dhe me Manajn (90’) - por që mbrojtja mysafire reagoi mirë.
Vushtrria prej minutës së 65-të të ndeshjes luajti me një lojtar më pak, pasi që futbollisti i tyre Ledjon Muçaj u ndëshkua me karton të kuq nga referi Tefik Maloku, që ishte kryesor sot.
Fitorja e Trepçës’89 mban ekipin e Idrizit në pjesën e epërme të tabelës, që tashmë ka krijuar një vijë të mirë ndarëse prej asaj të poshtme. Në anën tjetër, Vushtrria, që tash, duhet të konsolidohet mirë e mirë, pasi që katërshja e fundit e tabelës së klasifikimit, duket se vështirë do të ketë mbijetesën në Superligë.
‘89-shi i shkon Drenicës në xhiron e ardhshme, ndërsa Vushtrria pret njërën nga ekipet më në formë të Superligës këtë sezon, Gjilanin në Ferki Aliu.
FORMACIONET STARTUESE:
Trepça ’89: Beqiri, Richard, Kaqiku, Manaj, Maloku, Rusi, Jashari, Traore, Statovci, Pira, Hoti. Kryetrajner: Shpëtim Idrizi | Vushtrria: Tahiri, Zabërgja, Gashi, Shala, Halimi, Lamçja, Izmaku, Muçaj, Hoxhaj, Souza, Gavazaj. Kryetrajner: Fitim Llapashtica |