MEDIA TALK
Legjenda bullgare i del në përkrahje Xhakës
1 November, 2019 @20:23
Sjellja e Granit Xhakës në përballjen e fundit të Premier Ligës me tifozët e Arsenalit nuk është e pranueshme, por sulmuesi legjendar bullgar dhe kampion i Premier Ligës me Manchester Unitedin, Dimitar Berbatov, beson se tifozët e Arsenalit janë të parët që gjuajtën gurin për të thelluar problemin.
“Tifozët e Arsenalit kanë bërë gabim duke e fishkëlluar kapitenin e tyre, natyrisht edhe reagimi i kapitenit është i papranueshëm. Por, kujtoj shumë mirë kur po të njëjtit tifozë kanë fishkëlluar edhe Emmanuel Ebouen në vitin 2008. Kjo nuk është aspak e mirë nga ata, dhe ka qenë e dhimbshme të shohësh Xhakën në atë incident,” ka thënë Berbatov shkruan Eurosport.
“Derisa dilte nga fusha vetmevete thosha, mos e hedh fanellën se do të përfundon karriera jote në Arsenal. Luaja në Tottenham gjatë vitit 2007 kur Hossam Ghaly hodhi fanellën derisa zëvendësohej. Unai Emery do të ketë punë tepër të vështirë, nëse është detyra e tij të përmirësoj marrëdhëniet mes Xhakës dhe tifozëve,” ka shtuar ish sulmuesi i Unitedit dhe Spursit.
Përndryshe, pas incidentit, Granit Xhaka ka kërkuar mbrëmë falje nga të gjithë adhuruesit e Arsenalit, derisa spanjolli Emery sot ka thënë se ai nuk do të jetë pjesë e ekipit në ndeshje ndaj Wolvesit që luhet këtë fundjavë.