JUVENTUS 2-1 GENOA
CR7 nxjerr penallti dhe shpëton Juventusin ndaj Genoas me lojtar më pak
30 October, 2019 @23:24
Juventus ka shpëtuar kokën në një ndeshje kaotike, duke shënuar fitore ndaj Genoas, me penalltinë e Cristiano Ronaldos, në sekondat e fundit të ndeshjes.
Në fakt, Cristiano Ronaldo nxorri penallti në minutën e fundit të ndeshjes, për ta shënuar atë dhe për të fituar 2-1 duelin ndaj Genoas, derisa ekipi i Juventusit rimorri kreun e tabelës në Serie A me këto tre pikë.
Genoa ishte ringjalë me në krye trajnerin e ri Thiago Motta, që debutoi sonte, dhe përkundër disa mungesave në skuadër i ka bërë ballë bianconerëve dhe atë me 10 lojtarë në fushë (Francesco Cassata [dy të verdha, 51’]).
Epërsinë Juventusit ia dha Leonardo Bonucci (36’), ndërsa 4 minuta më vonë kishte barazuar Christian Kouame për mysafirët. Në fund, edhe Juventus e përfundoi ndeshjen me 10 lojtarë, pasi që Adrien Rabiot morri shpejt dy të verdha. Francezi u fut në lojë në minutën e 61-të të ndeshjes, dhe u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë (87’).
Juventus pas 10 xhirove të para në Serie A ka 26 pikë, një më shumë sesa ndjekësi i parë, Interi. I treti në renditje, Atalanta ka 21 pikë, 2 më shumë sesa Roma që është e katërta.