DISIPLINA E UEFA-së
UEFA dënon rëndë Bullgarinë, për fyerjet raciste ndaj Anglisë
29 October, 2019 @16:14
Para pak çastesh është publikuar vendimi i KD-së së UEFA-së lidhur me ndeshjen Bullgaria-Anglia, ku ajo u ndërpre disa herë për shkak të fyerjeve raciste që publiku bullgar i bënte futbollistëve anglezë në ndeshje.
Kështu, Bullgaria është detyruar që dy ndeshjet e ardhshme t’i luajë pa prezencën e publikut, në ndeshjen e radhës duhet të dalë me pankartën anti raciste “say no to racism”.
ORARI I NDESHJEVE DHE TABELA AKTUALE
Sa i përket shifrave, me 75 mijë euro dënohet Federata e këtij vendi për sjellje raciste të publikut dhe hudhje të gjësendeve në fushë.
10 mijë euro tjera gjobë i shtohen bullgarëve për fishkëllimat gjatë intonimnit të himnit të mysafirëve.
Ndërsa, i është shqiptuar edhe vërejtje Federatës së Futbollit të Bullgarisë për mosdhënien e reprizave në ekranin e madh të stadiumit.
Anglezët ndërkaq, janë dënuar me 5 mijë euro për shkak se tifozët e tyre kanë fishkëlluar ndaj himnit bullgar.
ORARI I NDESHJEVE DHE TABELA AKTUALE
Bullgaria dhe Anglia bëjnë pjesë në Grupin A kualifikues për EURO 2020, ku është edhe Kosova. Rivali kryesor i Kosovës në rrugë për kualifikim, Çekia, do të jetë mysafire e Bullgarisë më 17 nëntor, në përballjen që do të luhet pa shikues.
Pas këtij incidenti në ndeshjen Bullgaria-Anglia, kishte dhënë dorëheqje kreu i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, e disa ditë më vonë, edhe selektori i posaardhur i këtij vendi, Krasimir Balakov.