SUNAJ KEÇI
Gabimet e njëjta, po na kushtojnë
28 October, 2019 @23:30
Trajneri i Flamurtarit të Prishtinës, Sunaj Keçi, që dy xhiro më parë zëvendësoi Artim Shaqirin e dorëhequr nga detyra, pas humbjes së sontme ndaj Prishtinës ka thënë se ekipi i tij po përsërit gabimet.
“Vetëm 40 minuta arritëm t’i bëjmë rezistencë Prishtinës sonte. Gabimet si në ndeshjen ndaj Ballkanit u përsëritën. Kemi pasur mundësi të dënojmë kundërshtarin në pjesë të parë, e këndej pësuam nga dy gjysmëraste. Në pjesën e dytë ishim inekzistentë në fushë,” ka thënë Keçi për mikrofonin e Supersportit pas ndeshjes.
Flamurtari u mposht 2-0 nga Prishtina në Fadil Vokrri sonte, ndërsa ekipi kuqezi nga Dragodani, është i parafundit në klasifikim të Superligës aktualisht. Keçi nuk ka shënuar fitore me Flamurtarin ende prej se ka marrë drejtimin e ekipit.
Përndryshe ai ka folur edhe për skuadrën që ka në dispozicion.
“Përzgjedhja në fillim të stinorit është bërë gabim. Për mua një lojtar që gabon 10-12 pasime, nuk është lojtar! Duhet theksuar se kemi luajtur tre ndeshje në tetë ditët e fundit, që vështirëson edhe më shumë punën. Sidoqoftë, do të mundohemi për të marrë sa më shumë të jetë e mundur pikë deri në fund të pjesës së parë të stinorit,” ka përfunduar ai.