SHKARKIMI I RADHËS NË SUPERLIGË
Feronikeli në kërkim të trajnerit, zyrtarisht shkarkohet Vukicevic
30 October, 2019 @16:16
Kampioni i Kosovës, Feronikeli, prej sot edhe zyrtarisht është në kërkim të trajnerit të ri të skuadrës.
Para pak çastesh, përmes një komunikate zyrtare në faqen e skuadrës, klubi ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin malazias të ekipit, Dejan Vukicevic.
Rezultatet jo të pritura të skuadrës dhe veçmas atmosfera e krijuar në ekip, ka bërë që të përfolet qe sa për largimin e trajnerit, ndërsa sot kjo punë edhe është më zyrtare.
“Pas një bisede të trajnerit, Vukicevic dhe Presidentit të klubit, Naser Ramaj, që të dy janë dakorduar që të ndërpritet bashkëpunimi, që do të thotë se Vukicevic nuk do të jetë më trajner i FC Feronikelit. Është e dukshme që klubi po kalon në një fazë jo të mirë dhe se ndryshimet ishin të nevojshme, prandaj edhe erdhi deri te kjo ndërprerje e bashkëpunimit. Sidoqoftë, FC Feronikeli falënderon trajnerin, Dejan Vukicevic, për punën dhe profesionalizmin e treguar deri në ditën e tij të fundit si trajner i klubit,” ka shkruar njoftimi i klubit.
Përndryshe, Feronikeli ka bërë të ditur se shpejt do të informojë për pasuesin e Vukicevicit.
Ndërsa disa media kanë bërë të ditura se ekipi veçse ka biseduar me Bylbyl Sokolin, por as vetë Sokoli e as klubi s’kanë komentuar këto spekulime.
Bilansi i Vukicevicit me Feronikelin këtë stinor në Superligë ka qenë jo i pritshëm për skuadrën kampione, që harxhon pak më shumë se 1 milionë euro për një stinor në Superligë.
Nikli ka arritur që të shënojë 6 fitore dhe 1 barazim duke mbledhur 19 pikë në 12 xhiro, derisa ka edhe 5 humbje!