PARMA 0-1 VERONA
Rrahmani e Kumbulla shpëtojnë Veronën, që fiton 3 pikë
29 October, 2019 @22:12
Dyshja mbrojtëse, Amir Rrahmani e Marash Kumbulla, kanë shpëtuar Veronën sot nga pësimi i golit gjatë ndeshjes, derisa goli i hershëm Darko Lazovicit i ka sjellë fitoren ekipit të tyre ndaj Parmës së Kastriot Dërmakut, 0-1.
Kumbulla ka pasur rast ideal për 0-2 kur goditi me kokë drejt portës së Parmës, por topi ‘lëpiu’ shtyllën.
Në anën tjetër, Parma tentoi mjaft për barazim përmes Gervinhos, por kot. Rrahmani ka nxjerrë topin nga vija e portës për të mos lënë vendasit të marrin asnjë pikë në përballje.
Rrahmani e Kumbulla qenë 90 minuta në fushë, ndërsa ekipi i tyre pas 10 xhirove ka më së paku gola të pësuara në Serie A - vetëm 8.
Dërmaku gjithashtu ishte 90 minuta në 11-shen e Parmës, kurse pas kësaj humbjeje ekipi i tij është në pozitën e tetë aktualisht me 13 pikë, e Verona e 11-ta me 12 pikë.