FERONIKELI 0-2 BALLKANI
Baftiu special, Ballkani thellon distancën, debutimi i Sopit te Feronikeli me humbje
2 November, 2019 @16:19
Larguan trajnerin malazez Dejan Vukicevic për shkak të rezultateve të dobëta, emëruan trajner të ri, me përvojë në arenë ndërkombëtare dhe përsëri vazhduan me rezultate të dobëta.
Ky është një përkufizim i shkurtë për Feronikelin, kampionin aktual të Kosovës, që sot në Rexhep Rexhepi u mposht nga lideri befasues i Superligës këtë sezon, Ballkani, derisa trajneri i tyre i ri Agim Sopi debutoi me humbje.
Kalojmë te Ballkani. Një super paraqitje e ekipit të drejtuar nga Agim Maliqi sot (ndihmës i kryetrajnerit Ismet Munishi, i cili është i suspenduar nga KD i FFK-së) dhe me një Blendi Baftiu special - që ka shënuar dy herë për t’ia sjellë fitoren e madhe ekipit suharekas, që tashmë me plotë meritë është i pari në renditje dhe me distancë 5 pikëshe nga përcjellësit e parë, Drita (-1 ndeshje), Gjilani (-1 ndeshje) e Prishtina.
Rasti i parë në përballjen e sotme i takoi vendasve, kur tentoi Besmir Bojku. Më pas Ballkani mori lojën, kontrolloi topin mirë, ndërsa Baftiu përfitoi nga gabimi i mbrojtësit Astrit Thaqi për të shënuar për avantazh 0-1 (31’).
Pa raste konkrete deri në fund të pjesës së parë, dhe suharekasit ecin me epërsi minimale në zhveshtore për pushim 15 minutësh.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për të dyja palët. Lojë të bukur shfaqën lojtarët, derisa raste kishte mjaft.
Feronikeli tentoi me Jean Da Silvan (46’) dhe Kastriot Rexhën (65’), në anën tjetër Edvin Kuc (63’) u mundua, por topi i tij shkoi mbi portën e Florian Smakiqit.
Në skenë shfaqet përsëri Baftiu fenomenal. Shfrytëzon krosimin e bashkëlojtarit dhe me kokë qëllon rrjetën e niklit, për të çuar Ballkanin drejt fitores 0-2 (65’).
Deri në fund gola më nuk kishte, derisa tentimet nga të dyja palët nuk rrezikuan. Ballkani merr nga Drenasi 3 pikë dhe niset triumfalisht për në Suharekë, ku do të pret Llapin në ndeshjen e radhës.
Sopi në anën tjetër ka kuptuar se do të duhet të punojë shumë me kontigjentin e lojtarëve në dispozicion te kampioni aktual, për të kthyer ekipin në binarë siç kërkon kryesia. E sa do të ketë kohë dhe mundësi për ta bërë këtë, do të shihet në Fadil Vokrri në xhiron e radhës ndaj bardhekaltërve të drejtuar nga Armend Dallku.
FORMACIONET STARTUESE:
Feronikeli: Smakiqi, Dabiqaj, Lladrovci, Thaqi, Hoti, Fazliu, Da Silva, Bojku, Islami, Rexha, Hoxha. Kryetrajner: Agim Sopi. |
Ballkani: Ruxhi, Potoku, Berisha, Gashi, Hoxha, Baftiu, Topalli, Sinani, Magani, Kuç, Krasniqi. Kryetrajner: Agim Maliqi. |