KOMISIONI DISIPLINOR

Tahir Batatina suspendohet nga KD
1 September, 2021 @22:03
Duke analizuar xhiron e fundit të Superligës dhe duke u bazuar në raportin e gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Komisioni Disiplinor i Superligës ka dënuar trajnerin e Llapit Tahir Batatina me dy ndeshje zyrtare të radhës me masën disiplinore: ndalesë.
Kështu, përballjet e radhës të Llapit pritet të drejtohen nga ndihmës trajneri i të kaltërve të Podujevës, derisa Batatina do të qëndrojë në tribuna.
“Kryetrajneri i Llapit Tahir Batatina është ndëshkuar me karton të kuq direkt në minutën e 86 të ndeshjes Drita-Llapi. Bazuar në Nenin 39, Paragrafi 3 i Rregullores Disiplinore: Dënohet me ndalesë për dy ndeshje zyrtare sipas radhës nga FFK,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i lëshuar sot nga KD.
Me këtë, Batatina nuk do të jetë në bankë në dy ndeshjet e radhës që Llapi i luan si vendas, ndaj Feronikelit në xhiron e tretë dhe ndaj Malishevës në xhiron e katërt.
Trajneri i Llapit kishte reaguar ashpër në vendimin e referit që kishte anuluar golin e tyre pas rishikimit me VAR.