SAMUEL NIKAJ
Trajneri i Lirisë, jep dorëheqje
25 November, 2019 @9:30
Pas rezultateve jo të mira në xhirot e fundit të Ligës së Parë, trajneri shkodran i Lirisë së Prizrenit, Samuel Nikaj, ka dhënë dorëheqje.
Nikaj që mbajti Lirinë për disa javë në krye të Ligës së Parë, pas xhiros së nëntë nisi me rezultate jo të mira. Bardhezinjtë nga Prizreni patën 5 xhiro pa fitore (3 barazime, 2 humbje) derisa shënuan fitore ndaj Istogut.
Por, dje përsëri pësuan nga Malisheva dhe tashmë ranë në pozitën e tretë, me një pikë më pak se lideri i Ligës së Parë, Arbëria.
Nikaj njihej si trajner specialist për futjen e ekipeve të Ligës së Parë në Superligë, pasi që disa herë kishte pasur sukses në këtë. Të njëjtën e kishte bërë edhe në Shqipëri.
Ai i ka uruar sukses klubit, derisa ka marrë përgjegjësitë për rezultatet jo të mira dhe pikët aktuale - që kanë qenë shumë më pak se sa që ka pritur shkodrani - për tu dorëhequr.
“Me 7 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje dhe 25 pikë të mbledhura, që për pritshmëritë e mija janë shumë pak, marr krejt përgjegjësitë dhe dorëhiqem, duke e lënë klubin në luftë për vend të parë, pasi që janë vetëm një pikë larg kryesuesit,” ka thënë Nikaj në një njoftim lëshuar në llogarinë e tij të Facebookut.
“I falenderoj pa përjashtim, të gjithë te Liria, pasi që kam kaluar kohë të mirë me të gjithë në ekip, duke i uruar suksese në vazhdim,” ka përfunduar ai.