ULPIANA 2-0 LIRIA

Foto: KFUlpiana/fb
Ulpiana me një lojtar më pak, ia jep Lirisë humbjen e parë
15 September, 2019 @18:53
Skuadra e posaardhur në Ligë të Parë të Kosovës, Ulpiana, ka vazhduar me ritëm të mirë në këtë ligë, duke ia dhënë Lirisë humbjen e parë të stinorit.
Në “Sami Kelmendi” lipjanasit kanë shënuar fitore me rezultat 2-0, me nga një gol të shënuar për pjesë - për t’i kthyer duarthatë në Prizren mysafirët.
Përndryshe, kjo ka qenë fitorja e parë e Ulpianës këtë stinor dhe e para në Ligë të Parë. E njerëzit që vendosën në takim kanë qenë Akil Makolli (5’) dhe Armend Misini (85’).
I pari shënoi nga penalltia, kur në fillim të ndeshjes Mubarek Musliu u ndal në zonë të rreptësisë. Gjyqtari pa hamendje sinjalizoi në pikë të bardhë, ku Makolli tundi rrjetën e mysafirëve për 1-0.
Më pas, Ard Shala mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 70-të të ndeshjes, por kjo nuk ndali ekipin nga Lipjani që të vuloste fitoren, përkundër tentimeve të Lirisë.
E Armend Misini shënoi për 2-0, 5 minuta para fundit të ndeshjes, për t’i arkëtuar tre pikët e para për ekipin e tij këtë stinor në Ligë të parë.
Liria me këtë humbje bie në pozitë të pestë të tabelës, derisa Ulpiana ngritet në të dhjetën.