FERIZAJI 0-1 VUSHTRRIA

Foto: KFVushtrria/fb
Italiani debuton me fitore, Vushtrria ia bën sefte në Superligë
15 September, 2019 @18:23
Skuadra e Vushtrrisë ka arritur të shënojë fitoren e parë të stinorit sot, duke e mposhtur në ndeshjen e fundit të xhiros së katërt të Superligës skuadrën e Ferizajit, me rezultat minimal 0-1.
Ygor Vinicius ka qenë golashënues në këtë fitore të madhe të vushtrriasve, që sot për herë të parë luajti ndeshje zyrtare me trajnerin e ri të skuadrës, italianin Antonio Toma.
Rasti i vetëm i Ferizajit në këtë pjesë erdh nga Dardan Çerkini, që nga ndërprerja tentoi, por topi u prit nga portieri i të kaltërve mysafir, Enes Manxholli.
Bekim Isufi bëri tre zëvendësime deri në minutën e 60-të të ndeshjes për t’i dhënë krah dhe shtytje të fundit Ferizajit për të shkëputur së paku pikë sot, por kot.
Rastin më të mirë e kishte Fatih Karahoda, që në minutën e 70-të me goditje brilante tentoi, por përsëri Manxholli mbajti të sigurt portën e mysafirëve.
Tentimet e ferizajave deri në fund nuk rezultuan, ndërsa Vushtrria kështu fitoi ndeshjen, duke e regjistruar fitoren e parë të stinorit me trajner të ri të skuadrës, ndërsa Vinicius shënoi golin e parë të stinorit në Superligë.