FAZA E PARË
VAR-i në Superioren shqiptare
Teksti: FSHF
26 February, 2020 @12:20
Sistemi VAR është projekti i rradhës që Federata Shqiptare e Futbollit synon të implementojë në Kategorinë Superiore. Për realizimin e këtij projekti ambicioz, FSHF ka ngritur një grup pune dhe kanë filluar seminaret dhe takimet me IFAB dhe FIFA. Seminari parë është zhvilluar të martën dhe të mërkurën, me praninë e kryetarit Armand Duka dhe Thibaud Nijssen nga IFAB si menaxher i shërbimeve të futbollit. Bhaveshan Moorghen, nga Departamenti i Teknologjisë dhe Inovacionit në FIFA dhe Mike Bossler nga Sektori i Arbitrimit në FIFA si dhe drejtues të FSHF që janë pjesë e grupit të punës.
Projekti për implementimin e sistemin VAR parashikohet të shtrihet në faza, ku në fillim synohet të ngrihet një grup pune me ekspert arbitrimi, arbitra që janë në sistem aktualisht, ekspert teknologjie, ekspert ligjor dhe nga sektori garave për të ndjekur të gjithë trajnimet dhe kualifikimet e nevojshme nga programi për asistencë, aprovim dhe implementim që jepet nga IFAB dhe FIFA, me qëllim për tu fokusuar te praktikat më të mira. Ndihma e IFAB dhe FIFA ofrohet për të zhvilluar në mënyrën më të mirë sistemin VAR për të mbrojtur garën. Në fazën e dytë parashikohet përcaktimi i sistemit që do të implementohet.
Ekspertiza nga IFAB dhe FIFA përvec rritjes së kapaciteteve njerëzore do të jetë edhe në përzgjedhjen e sistemit më të mirë, duke parë që sot aplikohen tre sisteme VAR: një sistem me regji qëndrore, një sistem me regji në çdo stadium dhe një tjetër me mini-van të lëvizshëm për çdo stadium ku luhen ndeshje. Ekspertët e ardhur në Tiranë u shprehën se kërkohet cilësi maksimale në momentin e implementimit, dhe duhet të jemi të gjithë të kujdeshëm në afatet kohore. Ata sugjeruan që të merret e gjitha koha e nevojshme, në mënyrë që të mos nxitohet për të arritur më të mirën.