NAPOLI - BARCELONA
Posedimi Barcelonës, rastet Napolit - vendoset në Camp Nou
25 February, 2020 @23:02
Në San Paolon e zëshme të Napolit, vendasit kanë pasur mundësi të dalin si fitues nga përballja me Barcelonën, por Marc Andre ter Stegen ka shpëtuar ekipin e tij në disa raste të qindpërqindta për napolitanët.
Barcelona dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes me posedim topi, veçanërisht në pjesë të parë, por këtë pjesë Napoli e përfundoi në avantazh 1-0 pasi Dries Mertens përfundoi për bukuri një aksion të shpejtë të ekipit të Gennaro Gattusos.
Në pjesë të dytë Barcelona lëvizi pozitat e lojtarëve në fushë, për të shënuar. Një kombinim i shpejt, i ideuar nga Sergio Busquets, rezultoi me gol të lehtë për francezin Antoine Griezmann që përcaktoi përfundimtaren 1-1 [Mertens 30 - Griezmann 57].
Deri në fund të ndeshjes kishte raste për të dyja palët, por gola jo. E Barcelona minutën e fundit të ndeshjes dhe 5 minutat shtesë i luajti me një lojtar më pak, për shkak të fjalimeve të kota të Arturo Vidalit, që mori dy kartonë të verdhë menjëherë për të lënë ekipin me një lojtar më pak në fushë.
Dries Mertens i Napolit sikurse edhe Gerard Pique i Barcelonës, u bënë zëvendësime të detyruara për trajnerët e tyre, për shkak të lëndimeve që i pësuan gjatë lojës. Belgu nga minuta e 54-të, ndërsa spanjolli në minutat shtesë.
Dueli i kthimit vendos çerekfinalistin nga ky çift, më 18 mars në Camp Nou.