NË PRISHTINË
Ilija Ivic bën që ambasadorët t’i japin përkrahje atij dhe Flamurtarit
25 February, 2020 @15:36
Futbollisti nga Graçanica, Ilija Ivic, me angazhimin e tij te Flamurtari dhe ftesën për Kosovën U19 bëri bujë të madhe jo vetëm në vend, por edhe jashtë.
E presioni që po i bëhet atij dhe familjes së tij lidhur me faktin se po luan futboll për një ekip të Kosovës, u bë aq i madh, sa që sot në përkrahje të lojtarit dhe ekipit të Flamurtarit, në vizitë ka qenë ambasadori i Italisë në Kosovë Nicola Orlando.
Në komunikatën e lëshuar të Flamurtarit sot është bërë e ditur se Orlando i ka premtuar përkrahje ekipit dhe Ivicit për hapat e ndërmarrë ndërsa kuqezinjëve të Prishtinës i është dhënë fjala edhe për bashkëpunim me klubet italiane.
“Ambasadori Nicola Orlando na dha përkrahje neve dhe futbollistit Ivic, njëkohësisht na premtoi bashkëpunim me klubet italiane në fushën e shkollave të futbollit,” ka bërë të ditur komunikata e ekipit.
Përndryshe, Flamurtari është duke luftuar për mbijetesë në Superligë dhe pas humbjes nga Gjilani në xhiron e kaluar do të tentojë rezultat pozitiv nga rivali direkt për rënie, Vushtrria, në xhiron që vjen.