THELLOHET KRIZA
Vëllaznimi mbetet pa trajner
19 October, 2019 @18:04
Skuadra e vetme pa fitore në Ligë të Parë të Kosovës, Vëllaznimi, tashmë ka mbetur edhe pa trajner.
Sot, zyrtarisht nga ekipi është larguar edhe trajneri Sadat Pajaziti, pas kohërave më të vështira në vitet e fundit që po kalon klubi kuqezi nga Gjakova.
“Sapo filluam kampionatin patëm bojkot dy javë. Më pas, shumë lojtarë na ikën me të filluar kampionati. Unë qëndrova sepse hasa në shumë dashuri përreth klubit dhe kjo bëri që mos ta lë ekipin dhe të vazhdojmë të nxjerrim maksimumin, gjë që nuk e arritëm,” ka thënë Pajaziti me rastin e dorëheqjes së tij.
“I falenderoj bashkëpunëtorët, lojtarët, dhe dëshiroj që klubi të kthehet sa më shpejt në vendin që i takon,” ka shtuar ai ndër të tjera.
Vëllaznimi ka falenderuar Pajazitin për kontributin e tij, ndërsa ekipi shpreson që së paku këtë stinor mos të bie nga Liga e Parë e Kosovës.