KOLUMNE
5 për fundjavë, e para për këtë vit
Shkruan: G.P
14 January, 2022 @17:00
Pas një pushimi të shkurtër për shkak që pushuan shumica e ligave evropiane, “5 për fundjavë” rikthehet këtë fundjavë.
Kjo fundjavë ka plot ndeshje të mira, e ne i kemi zgjedhur 5 për të mos u humbur.
1. Manchester City - Chelsea (e shtunë, 13:30)
Ndonëse e filloi sezonin në mënyrë të shkëlqyeshme, Chelsea në dy muajt e fundit të vitit 2021 pati rënie evidente dhe rrjedhimisht mbeti prapa Cityt në luftën për titullin kampion në Angli.
Zgjidhja e problemit të numrit nëntë të Chelseat nuk ka ardhur as me transferimin e Lukakut, dhe shpërdorimet që Chelsea po i bën para portës kundërshtare edhe këtë sezon janë në numër të madh.
Ndonëse ka shumë xhiro të mbetura, një fitore ndaj Chelseat në përballjen direkte do ta shtynte Cityn edhe më afër titullit kampion, pasi që City ka shumë përvojë për ta lëshuar nga dora këtë diferencë të madhe të pikëve që e ka krijuar ndaj Chelseat e Liverpoolit në mes të sezonit.
Qasja e Tuchel në këtë takim me shumë gjasë do të jetë si në finalen e Ligës së Kampionëve, ku Chelsea ishte perfekt, e kryesor do të jetë evitimi i pranimit të një goli të hershëm. Më pas gjithçka mund të ndodhë.
Është një ndeshje e mirë për ta filluar ditën me të.
2. Newcastle - Watford (e shtunë, 16:00)
Me Norwichin pa shpresa për mbijetesë, Newcastle United duhet t’i gjejë dy skuadra më të dobëta se vetja, që për vete të mbetet në elitën e futbollit anglez.
Një prej tyre mund të jetë Watfordi, e tjetra mund të jetë Burnley. Transferimi i Chris Wood nga Burnley te Newcastle pak ditë më parë është një goditje e dyfishtë nga Newcastle, pasi skuadra nga Tyneside forcohet bindshëm, ndërkohë që kundërshtari direkt në luftën për mbijetesë, Burnley, humbë një prej lojtarëve të tij më të mirë.
Përballja e kësaj fundjave ndaj Watfordit është prej atyre ndeshjeve që duhen fituar, por nuk do të jetë aspak e lehtë.
Watfordi i Ranierit në këtë takim vjen pas 7 humbjeve rresht në të gjitha garat dhe njëjtë si Newcastle, do të futet për 3 pikë.
Barazimi nuk i konvenon asnjërës dhe ndeshja do të duhej të ishte e hapur.
3. Tottenham - Arsenal (e diel, 17:30)
Derbi i Londrës Veriore.
Përkundër eliminimit nga Kupa e Ligës, Tottenhami me Conten po bën mjaft mirë në ligë dhe është ende i pamposhtur. Gjasat për top-katër janë shumë reale dhe këtë të shtunë Tottenhamit i duhet ta tregojë veten pikërisht ndaj një rivali për top 4, ndaj Arsenalit.
Arsenali shpenzoi shumë energji ndaj Liverpoolit në Carabao Cup të enjten mbrëmë dhe kjo mund të ndikojë në aspektin fizik të dielën ndaj Tottenhamit.
Për dallim nga United, kundërshtari kryesor i këtyre dy skuadrave në luftën për vendin e katërt, dy skuadrat londineze në fjalë nuk kanë angazhime në garat evropiane në pjesën e mbetur të sezonit dhe kjo mund të jetë një plus i madh për to.
Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave gjithmonë kanë qenë të mira dhe të luftuara fort. Do të jetë edhe kjo.
4. Athletic Bilbao - Real Madrid (e diel, 19:30)
Finalja e Superkupës së Spanjës.
Në gjysmëfinale, Reali dhe Athletic Bilbao eliminuan Barcelonën, respektivisht Atletico Madridin, për t’u ndeshur tash mes vete në finalen e Superkupës.
Në Rijad të Arabisë Saudite, dy skuadrat që mes vete kanë 14 trofe të Superkupës (Reali 11, Bilbao 3), do të përballen mes vete në ndeshjen finale.
Vitin e kaluar, janar 2021, në edicionin e kaluar të Superkupës spanjolle, Bilbao e kishte eliminuar Realin nga gjysmëfinalja e kësaj gare, e pastaj e kishte mposhtur Barcelonën në finale, për të qenë kështu momentalisht fituesi në fuqi i këtij trofeu.
Ndaj Bilbaos ndeshjet janë gjithmonë të luftuara fort dhe zakonisht prodhojnë plot kartonë të verdhë. Favorit për fitore është Reali, por është ndeshje finale dhe normalisht që gjithçka mbetet e hapur.
5. Atalanta - Inter (e diel, 20:45)
Futbolli në Serie A ka ngritje të vazhdueshme dhe kjo është e pamohueshme. Atalanta dhe Interi për momentin janë dy skuadrat me futbollin më të mirë në Itali dhe ndeshjet mes tyre janë gjithmonë të mira.
Ndeshja e parë e këtij sezoni mes këtyre dy skuadrave ishte mjaft e mirë, përfundoi 2-2 dhe ishte prej të pakëtave ndeshje ku Interi u ndal pa fituar në Serie A.
Motivi te kampioni në fuqi i Italisë është lart pas fitores për t’u mbajtur mend gjatë ndaj Juventusit në sekondat e fundit të vazhdimeve, ndërkohë që edhe Atalanta është në formë të mirë. Në ligë ka vetëm dy humbje prej fillimit të tetorit dhe për momentin është e katërta në renditje.
Ndeshje shumë e mirë për ta mbyllur fundjavën.