NË QERSHOR, STADIUMI GATI
Arrijnë inspektorët e UEFAs, priten vlerësimet
Teksti: FFK
4 April, 2018 @21:56
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe zyrtarë të UEFA-së, vizituan sot Stadiumin e Prishtinës për të parë nga afër ecurinë e punimeve që po bëhen në këtë stadium.
Punët që po zhvillohen në stadiumin e Prishtinës janë në përputhje të plotë me standardet e parapërcaktuara nga UEFA dhe FIFA dhe ato do të përfundojnë në fillim të muajit qershor, ka bërë të ditur FFK sot.
Me këtë rast Fadil Vokrri, tha se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që më në fund po afrohet përfundimi i punimeve në stadium, derisa falenderoi ministrin për përkrahjen e plotë jo vetëm në mbështetjen e federatës, por edhe në zhvillimin e politikave progresive për përmirësimin dhe avancimin e të gjitha veprimtarive sportive në vendin tonë.
Inspektorëve Joachim Brachert e Marshall Nicolaus nesër do t’ju bashkohet edhe inspektori tjetër, Mark Blackbourne, të cilët më pas do t’i japin vlerësimet dhe rekomandimet e tyre.
Stadiumi i Prishtinës pritet që të inaugurohet në fillim të muajit qershor, me ç’rast do të zhvillohet një ndeshje e testuese.