LLAPI 1-1 DRENICA
As pas 6 xhirosh, s’ka fitore për Llapin
25 September, 2021 @17:03
Skuadra e Llapit nuk ka arritur të shënojë fitore as sot. Ekipi i Tahir Batatinës që mbylli stinorin e kaluar me trofe të Kupës dhe nisi këtë stinor me trofe të Superkupës, nuk po këndellet pas ndeshjeve ndërkombëtare të verës.
Llapjanët nuk kanë arritur të nxjerrin më shumë se një barazim sot në Stadiumin e Merdares, në një përballje ku mysafirët nga Drenica avancuan së pari, ndërsa vendasit u desht të kthehen në lojë, jo më tepër se për të siguruar barazimin 1-1 [Kastriot Selmani 16 - Kreshnik Uka 12].
Golat e ndeshjes u shënuan në fillim të takimit, ndërsa pas kësaj ekipet u riorganizuan për të shkuar më qetë, me më shumë duele, me kartona dhe në fund, Llapi përfundoi duelin me dhjetë lojtarë pasi që Valmir Veliu mori kartonin e dytë të verdhë (90+3).
Braziliani i Drenicës, Denisson asistoi sulmuesin Kreshnik Uka që shënoi për epërsinë e mysafirëve në minutën e dymbëdhjetë të ndeshjes, ndërsa shpejt barazoi Kastriot Selmani i Llapit, duke shënuar me kokë.
Në pjesën e mbetur të ndeshjes raste më shumë kishte Llapi, por golat s’erdhën përkundër tentimeve të Alef Firmino (44), Adem Maliqi (80), kurse tentimi i mysafirëve me Abazin, u ndalë nga portieri Avdyli (85).
Llapi është i fundit në renditje me vetëm tri pikë të fituara nga gjashtë xhirot e para, ndërsa Drenica për momentin e treta, me 11 pikë.