KUPA E KOSOVËS: 1/16
Ballkani i fortë edhe në Kupë, eliminon Dritën
28 November, 2019 @15:35
Lideri aktual i Superligës së Kosovës në futboll, Ballkani, ka arritur që pas penalltive, të eliminojë Dritën nga Kupa e Kosovës, duke vazhduar kështu formën e mirë në të gjitha garat e Republikës.
Suharekasit e drejtuar nga Ismet Munishi janë duke treguar lojëra të jashtëzakonshme këtë stinor, falë përzierjes së përvojës dhe treshes së reprezentacionit U21 të Kosovës - dhe kështu ecin tutje në të tetën e finales së Kupës.
Derisa Drita mori epërsinë në minutën e 27-të të ndeshjes me Fidan Gërbeshin, pas penalltisë së shkaktuar nga vendasit, Ballkani barazoi në fillim të pjesës së dytë, kur ylli i ekipit, Blendi Baftiu barazoi në minutën e 53-të të takimit.
Drita në fakt qëndroi në lojë deri në vazhdime vetëm falë mbrojtjeve tejet të mira të portierit të tyre Goran Tafilovski, që mbrojti disa tentime të vendasve.
Pas vazhdimeve, gjithashtu gola nuk kishte, derisa Ballkani mbeti me 10 lojtarë, pasi që Edvin Kuc mori të verdhën e dytë, e vendasit duruan deri në minutën e 120-të me një lojtar më pak, për të shkuar në penallti, ku edhe fituan lojën.
Nga penalltitë për Ballkanin të saktë ishin: Potoku, Besnik Krasniqi, Kushtrim Gashi, Visar Berisha, në serinë e 5 penalltive të para, kurse Krasniqi kishte dështuar të shënonte.
Te Drita, të saktë ishin Bujar Shabani, Adrian Cuculi, Erion Vuçaj e Fidan Gërbeshi, derisa penalltinë e parë e kishte humbur Emini.
Në penalltitë shtesë, Betim Haxhimusa i Dritës s’shënon, derisa Liridon Fetahaj i Ballkanit qëllon rrjetën e mysafirëve, për të sjellë gëzim të madh në skuadër dhe kalim në të tetën e finales për suharekasit me përfundimtaren (1-1 [5-4]).