DRENICA 0-1 ULPIANA
Braziliani Santos nxjerr Ulpianën nga zona e rrezikshme
6 November, 2021 @16:57
Sulmuesi brazilian me përvojë në Superligë, Marclei Santos, me golin e tij të shënuar katër minuta të fundit i ka sjellë Ulpianës fitore ndaj Drenicës dhe atë si mysafire në Bajram Aliu.
Santos ka shënuar pas asistimit të Ermir Rezit në minutën e 86 të ndeshjes për fitoren, që i ka nxjerrë nga zona e rrezikshme e Superligës, me fitoren minimale 0-1 [Marclei Santos 86].
Nuk janë shënuar shumë raste përgjatë pjesës së parë të ndeshjes, derisa Drenica e drejtuar nga Tahir Lushtaku dihet se është arrë e fortë sivjet. Por, derisa pritej qetësia në fund të ndeshjes, ka qenë ekipi i Edlir Tetovës që ka goditur me sulmuesin e tyre më të rrezikshëm.
Pas asistimit të Rezit, Santos ka qëlluar me kokë dhe topi ka përfunduar në rrjetën e ekipit të Drenicës. Me këtë, Ulpiana kap tri pikët ndërsa kërcen në pozitën e shtatë të renditjes, për të dalë nga zona e rrezikshme.
Drenica në anën tjetër ka pësuar për herë të tretë në katër ndeshjet e fundit dhe me 20 pikë është në pozitën e katërt të renditjes në tabelë, pasi që në total ka pësuar tashmë pesë herë këtë stinor.