REAGIMI I KREUT TE UEFA-se
Čeferin: Do të ketë pasoja
22 April, 2021 @12:35
Kryetari i UEFA-së Aleksander Čeferin në bisedë me 24ur ka bërë të ditur se do të ketë pasoja për skuadrat që nënshkruan pjesëmarrjen në Superligën Evropiane.
Ndër të tjera Čeferin ka thënë se ka pasur takimet me pronarët e Olympique Marseille dhe Roma, që janë amerikanë dhe mund të tregojë se pronarët nga SHBA-ja nuk janë të gjithë të njëjtë, përkundër se sistemi sportiv atje është ndryshe i organizuar.
“Ata më kanë thënë se kurrë nuk do të bëheshin pjesë e një lige të tillë,” ka thënë Čeferin.
Kurse në anën tjetër ka vlerësuar vendimin e fundit të klubeve angleze. Derisa ka thëën se më së paku e ka befasuar Barcelona.
“Kryetari Joan Laporta është i posazgjedhur në postin e tij dhe kam folur me te tri herë në kohët e fundit. Ai ka qenë në presion të madh për shkak të situatës financiare në klub. Kjo ndodh kur i stërpaguan disa lojtarë dhe nuk merr rezultatet e pritura. Shikojeni Bayernin, nuk kanë borxhe dhe kanë fituar Ligën e Kampionëve,” ka shtuar slloveni 53-vjeçar që ka marrë drejtimin e shtëpisë evropiane të futbollit që nga 14 shtatori 2016. Juristi nga Ljubljana nga viti 2011 deri në vitin 2016 ka qenë kryetar i Federatës së Futbollit të Sllovenisë.
“Jemi duke pritur tash takimin e së premtes [nesër v.j.] dhe të shohim se çka do të ndodh. Do të flasim javën tjetër përsëri, por do të ketë pasoja,” ka shtuar ai.