DITARI NR. 23 @ EURO 2016
Cristiano!
Shkruan: Luan MORINA
11 July, 2016 @1:00
Shumica e trajnerëve të hendbollit akoma përdorin pozitën e pivotit. Por, Santos, Low dhe disa trajnerë të futbollit provojnë të luajnë akoma me sulmin në vijë hendbolli. Santosin do e kuptoja – për shkak të mungesës së alternativa në qendër. Edhe pse shënoi një gol të bukur dhe ishte figura kryesore në zhvendosjen e topit tek pjesa e fushës franceze, Eder akoma nuk është një qendërsulmues i mirë. Por, është më i mirë se Gignac. Ndoshta jo më i mirë se Giroud, mirëpo mund të bëj më shumë në fushë pa Cristianon se sa do të bënte Giroud pa Griezmannin.
Ishte normale që Griezmann të mos ofronte më të mirën e tij në lojë të mëdha. Nuk e ka sefte, por me kalimin e kohës do të mund të përmirësohet. Gjithashtu kishte të ngjitur William Carvalhon përgjatë gjithë kohës. E me Carvalhon në mesfushë, në vend të Silvas, Moutinho e Andre Gomes do të ishin më të mirë. Sanches shfaqte shumë dëshirë për të luajtur, por vërehej ashiqare që akoma ka nevojë për përvojë.
Franca nuk ishte një ekip kampioni. Ishte më e dobëta që nga ndeshja hapëse. Mund ta fajësojmë presionin psikik i cili mbrëmë ishte shumë shkallë më lart se në ndeshjen e parë, por unë do të fajësoja Deschampsin. Vërtetë ishte një shfaqje shumë e ndrojtur e francezëve, e ngurtë, dhe diçka që nuk meritonte të artën në fund. Kishin shanse, nuk kishin fat deri diku. Ndoshta fati s’do të ishte kaq domethënës me dikë si Benzema në qendër të sulmit.
E patë Sissokon?! Akoma është në Newcastle dhe askush nuk duket të ofroj më shumë se dhjetë milionë euro për të. Por, tek mesfushorët askush nuk ishte si Joao Mario. Përgjatë ndeshjes nuk mbeti pothuajse pozitë që nuk kaloi nëpër mesfushë dhe që është më e rëndësishme që të gjitha i kreu me sukses. Me çmimin e tregut, nga ajo që u pa do të duhej të kushtonte diku rreth 400 deri 450 milionë euro. Kuptohet nëse bazohemi në kundërshtarin në anën tjetër dhe paraqitjet e tij ‘mjeshtërore’ në Euro 2016.
Në mungesën të Cristianos, Joao Mario dhe të tjerët vepruan me sukses. Kur mendojmë që Luis Figo, Rui Costa, Fernando Couto, Pintot nuk kanë arritur të arrijnë atë që bëri një ekip mesatar me Joao Marion atëherë e vërejmë që diçka nuk është në rregull me futbollin ‘modern’. Taktika, dhe qyqarllëku që kanë shfaqur shumica e trajnerëve defensiv. Le të jetë i fundit me kaq shumë ndeshje të mërzitshme e të kota, pa shumë gola, e me ‘tutca’ në pankinë.
Sido që të jetë, Cristiano Ronaldo mund të mos zgjohet nesër pa i mbetur gjë merak për këtë botë. Me mbrëmë ka arritur gjithçka që mund të arrij një futbollist. Dhe ky titull është shpërblimi më i mirë për një karrierë si të tijën.