NGA KONFERENCA
Dorëheqje? “Jo”, Panucci i qetë
18 November, 2018 @12:56
Tekniku italian që po drejton kombëtaren shqiptare tashmë një vjet, Christian Panucci, ka qenë i qartë në konferencën për shtyp pas ndeshjes Shqipëria-Skocia, ku kuqezinjtë u mposhtën rëndë 0-4.
“Ndeshja nuk filloi mirë për ne. Morrëm karton të kuq, mbetëm 10 veta dhe pësuam në shutin e parë drejt portës sonë. E kam të qartë, dhe i marr të gjitha gabimet përsipër. Asnjë lojtar nuk ka faj individual aty. Të gjithë kritikat që keni, drejtomini mua,” ka thënë Panucci në fillim të konferencës për shtyp, pas ndeshjes.
Ai në njërën ndaj pyetjeve të gazetarëve gjithashtu ka treguar se nuk është ndonjë komplot lojtarësh ndaj tij.
“Jo. Aspak. Ata i kanë zbatuar të gjitha detyrat e dhëna në fushë. Ata i kanë kryer ato,” ka qenë përgjigjja e italianit.
Gjithashtu, ish lojtari i Milanit, Real Madridit e Romës është pyetur nëse mendon për dorëheqje pas kampanjës jo të mirë në Ligë të Kombeve.
“Jo. Unë s’mendoj për dorëheqje. Nëse ka diçka që duhet biseduar me mua për vendin tim të punës është kryetari i FSHF-së, dhe do të bisedojmë nëse është e nevojshme kjo,” ka shtuar italiani qartazi.
Sa i përket provave teknike në fushë dhe lojës së kuqezinjëve ai ka bërë të ditur gjithashtu se kjo ka qenë ndeshja më e keqe e Shqipërisë nën drejtimin e tij. Ai është pyetur nëse ka zgjidhje për të dalë nga kjo krizë e rezultateve.
“Të them që kjo është ndeshja më e keqe e jona prej se unë jam këtu. Diçka duhet ndryshuar dhe natyrisht që do të ndërrojë që në duelin tjetër. Edhe në këtë takim kemi provuar diçka, edhe në të kaluarën, por s’ka dhënë rezultat,” ka thënë Panucci.
Shqipëria nga katër ndeshje në grupin e saj në Ligën C të Kombeve ka regjistruar një fitore dhe tri humbje. Kuqezinjtë janë të fundit në grup dhe tashmë rrezikojnë rënien në Ligën D.
Për të kuptuar këtë, kuqezinjtë duhen pritur të luhen të gjitha ndeshjet e fazës grupore, ku shpresohet të mbijetojnë nga rezultatet tjera në grupe të Ligës C.