5 PËR FUNDJAVË
Dortmund-Schalke, Juve-Napoli…
Shkruan: Luan MORINA
29 October, 2016 @15:00
Një shikim i shpejt për 5 duelet më interesante të fundjavës.
1. Dortmund – Schalke (e shtunë, ora 6e30)
Kampionati është një rrugëtim po aq i gjatë sa zhvillimi i një embrioni deri në foshnje, aty-këtu rreth nëntë muaj. Edhe Dortmund edhe Schalke kanë ekip për të mbijetuar për nëntë muaj në Bundesligë. Por, nuk po e shfrytëzojnë. Së paku Dortmundi nuk ka arsyetime pasi që kishte përfunduar me tregun e verës ende pa filluar stina e verës. Ndërkohë Schalke po provon të këndellet me një trajner i cili akoma nuk më mbush syrin si një trajner kampionësh. Është një nga ato ndeshjet ku më shumë se forma aktuale ka ndikim historia.
2. Juventus – Napoli (e shtunë, ora 15n9)
Juventusi nuk është i pamposhtur më. Kanë një ekip të thellë me mjaft alternativa, por adaptimi i tyre në ekip merr kohë dhe kërkon trajner të zellshëm. Për Itali, Juventusi i ka të dyja këto. Napoli, si në letër si në fushë është më i dobët se Juventusi. Kryesisht në kontinuitetin e formës. Por, përballjet ndërmjet këtyre dy ekipeve kryesisht kanë qenë të baraspeshuara viteve të fundit. Ngjashëm do të prisja të ishte edhe këtë vit sikur Napoli mos të kishte dorëzuar armën kryesore të tyre tek Juventusi dhe zëvendësuesi i kësaj arme të ishte lënduar ende pa kaluar çereku i sezonit.
3. Partizani – Skënderbeu (e diel, ora 5)
Skënderbeu pas gjashtë fitoreve ka hasur në Tiranën dhe pastaj në Kukësin për të humbur pesë pikë. Gjatë kësaj kohe, Partizani ka marr gjashtë pikë, pas bilancit të ngjashëm me Skënderbeun që kishte pasur në xhiron e katërt dhe të pestë. Tashti është koha ti matin forcat në mënyrë të drejtpërdrejt.
Sezonin e kaluar ishte nevojitur UEFA të ndërhynte e të përcaktonte fituesin e moralshëm të kampionatit. Shpresojmë që këtë vit të mos mbetet në dorë të UEFA-s, larg fushës së futbollit. Nëse asgjë, kampionati shqiptar nuk është një garë ndërmjet dy dhive këtë sezon. Kukësi dhe Tirana po vëzhgojnë nga afër.
4. Birmingham – Aston Villa (e diel, ora 1)
Me ardhjen e pronarëve të rinj, Birmingham City ka shtuar edhe shpresat për një ngjitje eventuale në Premier League. Edhe pse mendoj që janë larg cilësisë së Newcastle, Norwich, e deri diku edhe Brightonit, Birmingham City nuk guxon të fik ëndrrat për një kualifikim eventual. Nëse asgjë, ata janë më të mirë se Aston Villa e cila me budallallëk është mbajtur më shumë se që duhet me Roberto Di Matteon. Pas katër viteve kthehet derbi i qytetit të Birmingemit, i cili edhe pse një kategori më poshtë se ku ishte nuk pritet të jetë më inferior.
5. Hoffenheim – Hertha (e diel, ora 3e30)
Trajner kampioni nuk kanë as Hoffenheim e Hertha, por asnjëra nuk kanë as ekip kampioni që do të mund ti kundërvihet Bayernit. Megjithatë që të dyja po prodhojnë lojëra të bukura që po frytëzohen në krye të tabelës, në zonën Champions. Derisa disi do të mund ta prisnim nga Hertha një formë të këtillë, Hoffenheim vjen nga Kina dhe ngjitet aty në krye pa asnjë përbërës që do të duhej të garantonte këtë sukses. Prandaj, janë dëshmitarë të përkryer që futbolli është më shumë se emra dhe individ, është një lojë ekipore që me harmoninë dhe fërkimin e duhur pason suksesi.