NË KLINË
Dukagjini zyrtarizon 7 lojtarë
31 January, 2019 @15:30
Ekipi i Dukagjinit të Klinës që po mëton të sigurojë një vend në PlayOff të Ligës së Parë për të luftuar për Superligë, ka zyrtarizuar dy portierë, dy mbrojtës dhe tri futbollistë ofansiv.
Portieri me përvojë nga Superliga, që së fundi ka qenë pjesë e Besës së Pejës, Enis Manxholli si dhe portieri i Istogut Dukagjin Podrimaj.
Për më tepër, ekipi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me mbrojtësin e Drenicës Muharrem Musa dhe me atë të Arbërisë, Drin Lladrovci. Musa është mbrojtës i djathtë, ndërsa Lladrovci përveç tjerash ka qenë edhe pjesë e Kosovës U21 në disa raste.
Sa i përket pjesës ofansive, Dukagjini ka nënshkruar me mesfushorin e dëshmuar të Ferizajit Fuad Karabeg, me ish lojtarin e Vëllaznimit Burim Qorri dhe me lojtarin e ri, Ardit Berisha që vjen nga Besa e Kavajës.
Ekipi i ka uruar mirëseardhje lojtarëve.
Dukagjini ka përfunduar pjesën vjeshtore në pozitë të tretë të Ligës së Parë, që garanton PlayOffin, ndërsa mëton dy vendet e para që sigurojnë Superligën direkt.
Rivalë kryesor të Dukagjinit për një vend që shpie direkt drejt Superligës janë Besa dhe Vushtrria, që janë mbi ta në Ligë të Parë.