CUP OF NATIONS
Egjipti organizon Kupën e Kombeve
8 January, 2019 @23:50
Kupa e Kombeve të Afrikës për vitin 2019 do të organizohet në Egjipt, ka bërë të ditur sot Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF).
Egjipti mposhti Afrikën e Jugut, kundërkandidatin e vetëm për të marrë organizimin e garës më të madhe të shteteve afrikane me 16 vota më shumë.
Në fakt, organizimi i Kupës së Kombeve i ishte deleguar më parë Kamerunit, por pasi që në muajin nëntor të vitit 2018 u vërtetua se punimet në organizim po shkonin shumë ngadalë, u vendos për shtet të ri organizator.
Egjipti tash ka gjashtë muaj për tu përgatitur plotësisht për Kupën e Kombeve që për herë të parë do të ketë në gji të vetë 24 skuadra pjesëmarrëse dhe fillon në qershor të këtij viti.
Kjo është hera e pestë që Egjipti fiton organizimin e turneut të Kupës së Kombeve, ndërsa hera e fundit ka qenë në vitin 2006.
Kupa e Kombeve të Afrikës nis më 15 qershor 2019 dhe përfundon më 13 korrik 2019. Kjo është hera e parë që kjo garë zhvillohet në verë, pasi që zakonisht është mbajtur në janar-shkurt dhe kjo ka ndodhur për shkak të futbollistëve afrikanë që luajnë në ekipe të forta evropiane dhe nuk marrin pjesë aty.
Të kualifikuar për Kupën e Kombeve janë: Madagaskari (debutim), Senegali, Maroku, Mali, Algjeria, Nigeria, Kenia, Gana, Guinea, Bregu i Fildishtë, Mauritania (debutim), Tunisi, Egjipti dhe Uganda deri tash. Skuadrat tjera kuptohen në mars 2019, pas së cilës hidhet edhe shorti i AFCON 2019.