BALLKANI 2-0 PRISHTINA
Ermal Krasniqi asist e gol, Ballkani lider duke e mposhtur Prishtinën
24 October, 2021 @15:27
Pas dy barazimeve, Ballkani i është kthyer fitores por edhe lidershipit në Superligë. Skuadra suharekase ka mposhtur kampionin aktual të Superligës, Prishtinën, duke e fituar ndeshjen 2-0 në një duel tejet interesant, por ku vendasit konkretizuan.
Pas pjesës së parë të kaluar pa gola, por me karton të kuq, Prishtina mbeti e hendikepuar kur Gauthier Mankenda mori shpejt dy të verdha. Ekipi i Zekirija Ramadanit prej minutës së 30 luajti me një lojtar më pak, ndërsa më parë, Astrit Thaqi kishte qëlluar në shtyllën e Ardit Nikës!
E në pjesë të dytë Ballkani ka gjetur golat e kërkuar për fitore. Së pari ka shënuar Theo Solomon, ndërsa më pas edhe Ermal Krasniqi për t’ia sjellë fitoren skuadrës së Bekim Isufit dhe fitoren e madhe ndaj kampionit për të dalë në krye të renditjes tabelare 2-0 [Theophilus Solomon 58, Ermal Krasniqi 71].
Ermali edhe asistoi te goli i parë i shënuar me kokë nga nigeriani.
Pas minutës së 80, Isufi zëvendësoi Theo Solomonin dhe Meriton Korenicën me dyshen Mevlan Zeka e Argjend Malaj, për ta bërë Ballkanin edhe më kërkues në minutat e mbetuara të lojës.
Në fund, Ballkani 2-0 Prishtina ndërsa suharekasit marrin lidershipin duke e mbyllur xhiron e XI të Superligës në krye, me një pikë më shumë sesa Drenica - dhe që është më e mira, ende pa asnjë humbje këtë stinor!