IA NIS

REUTERS
Gjithçka gati për Champions League!
16 September, 2013 @15:03
Liga e Kampionëve, gara më e madhe e futbollit ekipor europian fillon nesër mbrëma. Tridhjetë e dytë skuadra do të jenë në luftë për më të mirin e Europës, derisa gjysma e tyre ia nisin misionit nesër, e gjysma tjetër pasnesër.
GRUPI A:
Për Manchester Unitedin kjo është e 18-ta herë radhazi që merr pjesë në Ligën e Kampionëve, mirëpo, trajneri i tyre David Moyes do ta shijojë për herë të parë këtë garë. Edhe kundërshtari i tij nga Bayer Leverkusen, ish futbollisti i Liverpoolit, Sami Hyypia, që ka fituar trofeun e madh me ekipin nga Anfield Road në vitin 2005 në Stamboll - del sefte në mejdan si trajner. Përndryshe, Manchester United del favorit në çdo aspekt për këtë ndeshje.
Ndeshja tjetër e grupit Real Sociedad - Shakhtar Donetsk është paraqitja e parë e baskëve pas vitit 2003/04, kur në ekip kishin dyshen e sulmit turko-serb, Darko Kovacevic-Nihat Kahveci. Shakhtari ka përvojë të madhe në këtë garë dhe është gjithmonë arrë e fortë ndaj çdokujt, por Sociedad do të provojë gjithçka kundër tyre.
GRUPI B:
Galatasaray ritakohet me Real Madridin shpejtë. Turqit ishin eliminuar nga Real Madridi në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve në stinorin e kaluar. Trajneri i tyre, Fatih Terim, është zëvendësuar në stinorin 2001/02 në Milan nga Carlo Ancelotti që sot udhëheq Realin, ndërsa ndihmës trajneri i Galatasarayit, Umit Davala, ka luajtur shtatë ndeshje nën urdhërat e Ancelottit derisa ka qenë pjesë e rossonerëve njëmbëdhjetë vite më parë.
Juventusi ndërkaq, hyn në këtë stinor të Ligës së Kampionëve me ambicie më të mëdha dhe me përvojën e fituar vjet, thjeshtë do të jenë sfidues ndaj çdokujt në çdo ndeshje. Udhëtimi në Kopenhagë, duhet të përfundojë me fitore për ata.
GRUPI C:
Grup ku vështirë të parashikohet diçka. Paris St Germain natyrisht që është favorit, por Benfica, Anderlecht dhe Olympiacos do të kërkojnë me luftë së paku vendin e dytë në grup.
GRUPI D:
Kampioni aktual i Europës, Bayern Munchen, ia nis stinorit europian me trajner të ri, Pep Guardiola. Katalonasi përkundër se morri trofeun e Superkupës muajin e kaluar, do të dëshirojë që gjithsesi të arrijë suksesin e stinorit të kaluar - titullin europian. Misioni ia nis ndaj rusëve të CSKA-së.
Në ndeshjen tjetër, Manuel Pellegrini, që ka arritur çerekfinalen e Ligës së Kampionëve stinorin e kaluar me super Malagën e tij, ende nuk e pranon humbjen nga Borussia Dortmundi duke thënë se referi i ka dëmtuar rëndë. Sot Pellegrini me përvojën e tij, duhet t’i ndihmojë Manchester Cityt të kalojë për herë të parë grupet, pasi që në dy stinorët e kaluar të kaltërit e Manchesterit patën dështuar me Roberto Mancinin në krye.
LIGA E KAMPIONËVE, Nesër:
Grupi A: | Manchester United - Bayer Leverkusen | ||
Grupi A: | Real Sociedad - Shakhtar Donetsk | ||
Grupi B: | Galatasaray - Real Madrid | ||
Grupi B: | Kobenhavn - Juventus | ||
Grupi C: | Benfica - Anderlecht | ||
Grupi C: | Olympiacos - Paris St Germain | ||
Grupi D: | Bayern Munchen - CSKA Moska | ||
Grupi D: | Viktoria - Manchester City |