EMIN BAJRAMI
Hajvalisë po i kthehet vetëbesimi dhe motivimi
15 November, 2016 @15:37
Trajneri i Hajvalisë, Emin Bajrami, është ndarë i kënaqur me pikën e fituar sot në përballje me Prishtinën.
Kjo është pika e parë e fituar e Hajvalisë e udhëhequr nga trajneri Bajrami, i cili vetëm 10 ditë më parë ishte emërtuar në krye të skuadrës.
Ai pas ndeshjes i përgëzoi lojtarët e tij për angazhimin, ndërsa tha se skuadra e tij do të luftojë deri në fund për mbijetesë.
“Së pari i përgëzoj lojtarët për angazhimin. Sidomos jemi koncentruar në repartin defansiv, pasi që e kemi ditur se çfarë kualiteti të lojtarëve posedon Prishtina. Jemi munduar që me kundërsulme ta dënojmë kundërshtarin, ku i patëm edhe 2-3 raste tona, por sulmuesit nuk ishin të mirë në finalizime. Prapëseprapë mund të them se jam i kënaqur, sepse ekipi ka ardhur shumë vonë. Këta djelmosha dijnë të luajnë futboll, kanë kualitet të mirë, mirëpo na duhet ende punë në ekip sepse ekip që kemi ngecur shumë prapa me pikë. Besoj që në xhirot e ardhshme do të komponohemi edhe më mirë dhe do të luftojmë deri në fund për mbijetesë,” tha Bajrami në intervistën e tij për Supersportin.
Ndër tjerash, Bajrami tha se detyra e tij parësore ka qenë që t’ia kthej vetëbesimin dhe motivimin tek lojtarët, gjë që ka filluar të rezultojë me sukses.
“Detyra ime së pari ka qenë që t’i motivojë lojtarët dhe t’ia kthej vetëbesimin të cilin e kanë humbur sepse është parë edhe në xhirot e kaluara që nuk kanë pasur motiv. Besoj se sot ka qenë një frymë krejtësisht tjetër ndaj Prishtinës, e cila lufton për titull dhe djelmoshët tanë janë angazhuar jashtëzakonisht shumë dhe i kanë kryer detyrat në përpikëri,” shtoi ai.
Hajvalia, së bashku me Ferizajin, Dritën dhe Trepçën, janë skuadrat kryesore që rrezikojnë mbijetesën në Superligë.