FATI I KOSOVËS
Kalkulime: Kazakistani mund t’i bëjë ‘nder’ Kosovës!
19 November, 2018 @13:58
Kur jemi në xhiron e fundit të fazës grupore të Ligës së Kombeve, le të ‘kalkulojmë’ pak për fatin e Kosovës.
Sipas rregullave, katër fituesit e katër grupeve të Ligës D, ligë në të cilën ndodhet edhe Kosova, do të përballen mes vete në një lloj Play Off-i, fituesi i të cilit do të kualifikohet direkt për në Kampionatin Evropian të vitit 2020.
GRUPET DHE ORARI - LIGA E KOMBEVE
Katër fituesit e grupeve do të radhiten nga ai me më së shumti pikë tek ai me më së paku dhe në këtë mënyrë në Play Off i pari luan me të katërtin, e i dyti luan me të tretin (pra ajo përfaqësuese që e mbyll fazën grupore me më shumti pikë, luan me atë që ka më së paku pikë, ndërsa dy përfaqësueset që ndodhen ‘në mes’ luajnë mes vete). Nëse pikët janë të barabarta, shikohet goldallimi, e nëse edhe goldallimi mes dy përfaqësueseve është i barabartë, shikohet cila skuadër ka shënuar më tepër gola.
Momentalisht, katër liderët e grupeve në Ligën D janë: Bjellorusia me 14 pikë, Gjeorgjia me 13 pikë, Maqedonia me 12 pikë dhe Kosova me 11 pikë. Përveç Bjellorusisë, të trija përfaqësueset e tjera do ta zhvillojnë edhe nga një ndeshje, pra të fundit të fazës grupore.
Në fazën gjysmëfinale (Play Off) zhvillohet vetëm një ndeshje, ku vendase do të jenë dy përfaqësueset me më shumti pikë (momentalisht Bjellorusia dhe Gjeorgjia).
Sipas kalkulimeve, gjasat që gjysmëfinalja të luhet në “Fadil Vokrri” të Prishtinës nuk janë shumë të mëdha, mirëpo kjo mund të arrihet nëse ndodhin dy gjëra:
- Gjeorgjia të mos fitojë sonte ndaj Kazakistanit
- Kosova të fitojë nesër ndaj Azerbajxhanit
Rrjedhimisht, Kazakistani mund të na bëjë një ‘nder’ neve sonte, gjithmonë nëse ne e fitojmë ndeshjen tonë ndaj Azerbajxhanit nesër. Vetëm në këtë mënyrë në gjysmëfinale do të luanim në Prishtinë, për t’iu afruar kështu kualifikimit në Evropian edhe më tepër!