NË GJAKOVË
Munishi i kthehet Vëllaznimit
18 November, 2018 @22:15
Pjesa e parë e stinorit 2017/18 kur Vëllaznimi ishte pjesë e Superligës, kishte nisur me Ismet Munishin trajner.
Munishi qëndroi në Gjakovë deri në xhiron e XVIII të Superligës, për t’ia lënë vendin pasardhësit Arsim Gojani që më pas u zëvendësua nga Gani Sejdiu, e Vëllaznimi ra në Ligë të Parë.
Tash kur Gani Sejdiu dha dorëheqje nga Vëllaznimi në Ligë të Parë, drejtuesit e klubit kuqezi nga Gjakova kanë bërë të ditur se janë akorduar me Ismet Munishin, si trajner i ri i Vëllaznimit.
“Sot në zyret e klubit të Vëllaznimit, kryetari Agim Cana ka arritur marrëveshje me trajnerin e mirënjohur Ismet Munishi, që të jetë kryetrajner i Vëllaznimit. Urime dhe suksese në vazhdim,” ka shkruar njoftimi i klubit gjakovar në Facebook sot.
Përndryshe, Vëllaznimi po kërkon kthimin e shpejtë në elitë të futbollit kosovar. Kuqezinjtë sot kanë shënuar fitore ndaj Istogut 4-1, ndërsa për ekipin stinori vjeshtor përfundon xhiron që vjen në Koretin, ku takohen me Bashkimin.
Munishi pritet të ketë dimër të ngrohtë te Vëllaznimi për t’i përgatitur sa më mirë futbollistët e skuadrës dhe ndoshta edhe të merr përforcime ashtu që të ngris ekipin në një pozitë që mundëson Superligën.
Përndryshe, Munishi kishte nisur këtë stinor te Besa e Pejës, prej ku u largua para disa xhirove.