ANGLIA - KROACIA
Anglia për trofe, Kroacia eliminohet
18 November, 2018 @17:08
Një ndeshje dramatike është zhvilluar në Wembley të Londrës sot, ndërsa Anglia me golin e Harry Kane‘it, falë vetëm aftësisë së tij të qenit i gjindshëm në pozita të tilla, ka shënuar fitore 2-1 ndaj Kroacisë.
E ndeshja u luajt nën dominimin e Anglisë, që prej fillimit. Por, kroatët nën direktivat e Luka Modricit, tregoheshin shumë të kujdesshëm në lojë dhe tentonin të shfrytëzonin rastet për të shënuar, nga topat e rrëmbyer në mefushën angleze.
Kështu edhe ndodhi. Kroacia avancoi kur edhe vetë ata nuk e prisnin. Andrej Kramaric topin para tij e ruajti me brilancë, shpërqëndroi mbrojtësin dhe me goditjen që preku pak rivalin, avancoi 0-1 (57’).
Kjo ndezi edhe më shumë anglezët, të cilët u hodhën edhe më në sulm, derisa Kroacia humbi raste tepër të mira për të ‘mbytur’ kundërshtarin.
Jesse Lingard (78’) pas vetëm tre minutave që kishte zëvendësuar Fabien Delphin shënoi për barazim 1-1. E pas kësaj Kane kapi me maje të këmbës krosimin për gol (85’) 2-1.
Fitorja e çon Anglinë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve dhe në luftë për trofeun e parë të kësaj gare.
Deri tash vetëm Portugalia e ka siguruar këtë, ndërsa Anglia është ekipi i radhës. Sonte do të kuptohet edhe një, ndërsa nesër mbrëma edhe ekipi tjetër për t’u kompletuar katërshja që do të luftojë për të mirin e Ligës së Kombeve.
E nënkampioni aktual i Botës, Kroacia, që ishte për pak në të njëjtën pozitë si Anglia, tashmë ka rënë nga Liga A dhe herën tjetër do të jetë pjesë e Ligës B të Kombeve.