ZVICRA - BELGJIKA
Shaqiri senzacional, Zvicra në FinalFour
18 November, 2018 @23:10
Fokusi i kamerave me të përfunduar ndeshja, pas takimit të zakonshëm të trajnerëve Vladimir Petkovic dhe Roberto Martinez ka kapur Xherdan Shaqirin. Kjo tregon shumë.
Shaqiri në fitoren 5-2 të Zvicrës sonte nuk shënoi asnjë gol. Por, ai ka qenë njëri ndër futbollistët kryesor në rikthimin e madh të zviceranëve sonte, që ishin në disavantazh 0-2 pas vetëm 17 minutave lojë (Thorgan Hazard 2’, 17’).
Xherdan Shaqiri regjistroi dy asistime dhe dy herë u gjend në ndërtim të aksioneve që rezultuan me gola, kurse Haris Seferovic (31’, 41’, 84’) shënoi hat-trick në fitoren 5-2. (Golat tjerë: Ricardo Rodriguez pen. 26’ dhe Nico Elvedi 62’).
Me këtë fitore, Zvicra ka përfunduar e para në Grupin 2 të Ligës A dhe ka siguruar Final Fourin që vitin e ardhshëm mbahet në Portugali.
Bashkë me Zvicrën aty janë edhe Portugalia e Anglia, ndërsa ekipi i fundit mirret vesh nesër mbrëma pas rezultatit të ndeshjes Gjermania-Holanda. Nëse Holanda merr një pikë nga kjo ndeshje siguron Final Fourin, nëse humb, atëherë Franca do të jetë pjesëmarrëse e Final Fourit.
Sa i përket shqiptarëve tjerë në këtë ndeshje, Granit Xhaka ka qenë për 90 minuta në fushë, derisa në të 38-tën ka marrë karton të verdhë, por ka shfaqur lojë tepër të mirë në pozitën e tij.
Ndërkaq, Albian Ajeti u fut në lojë krejt në fund, për të zëvendësuar heroin e golave, Seferovic në minutat shtesë të takimit dhe nuk pati kohë as të djersitet si duhet në lojë.
Nga ky grup, Zvicra arrin gjysmëfinalet e para të Ligës së Kombeve, Belgjika si e dyta mbetet në Ligën A, ndërsa Islanda ka rënë në Ligën B.