KOSOVA - AZERBAJXHANI
Kosova fantastike, në Ligën C dhe Play Off për EURO 2020!
20 November, 2018 @22:36
Çfarë Kosove!
Me fitore të thellë 4-0 e ka mbyllur ndeshjen e fundit të fazës grupore përfaqësuesja e Kosovës e drejtuar nga Bernard Challandes, për ta lënë prapa në renditje Azerbajxhanin dhe për ta mbyllur grupin si lidere!
Në akcionin e parë të krijuar, Kosova arriti ta shënojë golin e epërsisë. Ishte Arbër Zeneli ai që shënoi për 1-0 pas një asistimi nga Benjamin Kololli, gol ky që i dha Kosovës vetëbesim dhe qetësi me të filluar takimi.
Në vazhdim të pjesës së parë Kosova e menaxhoi ndeshjen mjaft mirë, ndërsa rasti i parë në ndeshje dhe i vetmi në pjesën e parë për Azerbajxhanin erdhi në minutën e 40’, moment në të cilin mysafirët rrezikuan me një gjuajtje nga distanca, gjuajtje e cila u prit nga portieri Muriçi.
E spektakli i Kosovës, njëjtë sikur ndal Maltës, ishte ruajtur për pjesën e dytë. Autori i golit të parë, Arbër Zeneli, e dyfishoi epërsinë e Kosovës pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë pas një asistimi perfekt nga Muriqi, për t’ia dhënë edhe një goditje azerëve.
Më pas, për 3-0 shënoi Amir Rrahmani me kokë, ndërsa golin e fundit të Kosovës e shënoi përsëri Arbër Zeneli, i cili e përmbylli me hat-trick një tjetër paraqitje perfekte të tij.
Fitorja e arritur sonte bën që Kosova ta mbyllë grupin si lidere me plot meritë, për t’u ngjitur kështu në Ligën C në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, ndërsa në gjysmëfinalen e Ligës D këtë edicion do të përballet me Maqedoninë në Shkup.