MAQEDONIA - GJIBRALTARI
Bardhi hap rrugën e maqedonëve, Kosova mëson rivalët
19 November, 2018 @22:54
Enis Bardhi i ka hapur rrugë Maqedonisë me super golin e tij në fillim të ndeshjes për fitore të thellë ndaj Gjibraltarit sonte 4-0.
Kjo fitore, ia ka siguruar Maqedonisë vendin e parë në Grupin D4 të Ligës së Kombeve dhe tash maqedonët mund të jenë rivalë të Kosovës në playoff për EURO 2020 (nëse asnjëra prej këtyre skuadrave nuk e siguron EUROn përmes kualifikimeve të rregullta).
Si qëndrojnë punët tash?
Gjeorgjia me 16 pikë ka fituar Grupin 1 të Ligës D të Kombeve, Bellorusia me 14 pikë Grupin 2 të Ligës D të Kombeve, ndërsa Maqedonia me 15 pikë Grupin 4 të Ligës D të Kombeve.
Kosova në rast se fiton nesër mbrëma ndaj Azerbajxhanit do të fitojë Grupin 3 të Ligës D të Kombeve me 14 pikë dhe do të ketë kundërshtar në playoff Maqedoninë, me të cilët do të ndeshet në Shkup.
Nëse Kosova barazon dhe e fiton Grupin 3 të Ligës D të Kombeve me 12 pikë, do ta ketë kundërshtar në playoff Gjeorgjinë, me të cilët do të ndeshet në Tbilisi.
Pra, playoffi i Ligës D të Kombeve që përcakton njërën nga skuadrat që do të sigurojnë biletën alternative për EURO 2020 do të përcaktohet mes Gjeorgjisë, Bellorusisë, Kosovës (shpresojmë) dhe Maqedonisë.