AGIM ADEMI
Kreu i FFK-së, 9 muaj burgim efektiv
5 July, 2019 @17:18
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është dënuar me 9 muaj burgim efektiv, pasi është shpallë fajtor për njërën nga dy veprat penale për të cilat ngarkohej.
Ai është dënuar për veprën penale të detyrimit në tentativë, ndërsa është shpallë aktgjykim refuzues për ushtrim të ndikimit, shkak se kjo vepër penale është parashkuar.
“Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën, Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30,000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje,” ka bërë të ditur faqja Betimi për Drejtësi.
“Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMë X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”,” ka përfunduar shkrimi në raportin e medies në fjalë.
Ademi ka marrë drejtimin e FFK-së pas vdekjes së kryetarit Fadil Vokrri.
Në ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka lëshuar këtë komunikatë lidhur me rastin, duke e konsideruar të padrejtë dhe të pabazuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Me rastin e komunikimit të vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku presidenti i FFK-së, Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burgim, proces ky i nisur qysh në vitin 2012, sot pasdite, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e presidentit Ademi ka mbajtur një takim. Me këtë rast, presidenti Ademi para anëtarëve të KE-së ka thënë se komunikimin e vendimit të sotëm e konsideron të padrejtë dhe të pabazuar, sepse nuk e ndjen veten fajtor. Presidenti Ademi do të vazhdojë t’i ndjekë deri në fund të gjitha procedurat ligjore – ankimore, të cilat janë të parapara me ligjet e vendit, jo për ta mbrojtur postin por për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për ta mbrojtur kredibilitetin e institucionit. Gjithsesi, presidenti Ademi do t’i respektojë të gjitha vendimet e institucioneve çfarëdo qofshin ato në përfundim. Presidenti Ademi falënderon të gjithë akterët e futbollit për përkrahjen dhe premton se do të vazhdojë njësojë me punë dhe përkushtim në drejtimin e FFK-së dhe sukseseve të reja, ashtu siç ia garanton Kushtetuta e vendit dhe aktet normative të FFK-së. Njëkohësisht KE i FFK-së i jep mbështetje të fuqishme presidentit Agim Ademi që të vazhdojmë së bashku me trendin e sukseseve nën drejtimin e tij dhe fton opinionin e gjerë dhe të gjithë dashamirët e futbollit që këtë lajm ta marrin me qetësi dhe maturi. KE i FFK-së konsideron se kjo është një tjetër sfidë e radhës, e cila besojmë fuqishëm se do të tejkalohet dhe do të na bëjë edhe më të fortë në realizimin e vizionit dhe objektivave të FFK-së,” shkruan komunikata.