LEWA REKORDER

Lewa kryen stinorin duke rrënuar rekordin e legjendës
22 May, 2021 @17:40
Legjenda e futbollit gjerman, Gerd Muller, tashmë do të jetë i dyti në listë, derisa polaku Robert Lewandowski me golin e 41 të stinorit të shënuar në xhiron mbyllëse të Bundesligës 2020/21 - ka bërë që të thyhet rekordi deri tash i paaritshëm i një lojtari të shënojë kaq gola brenda stinorit, pas rreth 5 dekadave.
Bayern përkundër se u bë kampion disa xhiro më parë, nuk zhgënjeu ndaj Augsburgut derisa bëri gol-show me fitore 5-2 në fund, ndërsa Lewa shënoi golin e fundit të skuadrës në minutën e 90 të ndeshjes për të regjistruar emrin e tij në histori të futbollit gjerman.
Kujtojmë, sot ka qenë edhe ndeshja e fundit e trajnerit Hansi Flick në krye të Bayernit, pasi që më parë është bërë e ditur se ai më nuk do të vazhdojë me skuadrën dhe ekipi qysh muajin e kaluar ka bërë të ditur se vendin e tij do ta zë Julian Nagelsmann.