LIRIA 3-1 A&N
Liria fiton derbin lokal, e dyta me radhë
5 November, 2021 @14:59
Liria ka shënuar fitoren e dytë me radhë dhe është ngritur në renditjen tabelare për dy pozita më lartë. Për herë të parë këtë stinor Liria ka shënuar dy fitore radhazi në kampionat!
Bardhezinjtë nga Prizreni kanë shënuar fitore ndaj skuadrës tjetër të qytetit A&N në ndeshjen e zhvilluar në Suharekë sot, pasi që në stadiumin e Lirisë Përparim Thaqi është duke u punuar, duke u shtruar tapeti i ri me bar artificial.
Ka qenë një veprim individual i mesfushorit Fitim Susuri që bëri ndeshjen të ngjallet që në fillim të saj. Ai pasi mori topin në krah të majtë depërtoi në zonë, hyri brenda 16-shes dhe duke lënë pas mbrojtësin, shënoi nga afëria për 1-0 në fillim të ndeshjes (8’).
Pas kësaj A&N u hodh në sulm dhe pati 2-3 raste të mira për barazim, por sulmuesit dhe mesfushorët që tentuan, nuk ishin të saktë, duke gjuajtur jashtë portës së Drilon Hodaj.
Së pari tentoi Valdo Zeqaj nga gjuajtja e lirë (18), ndërsa pas tij ka qenë braziliani Batista, që nga afërsia s’qëlloi kornizën e portës (20).
Në pjesë të dytë A&N e drejtuar nga Genc Tamniku u freskua me Morales dhe Din Miftari, mirëpo kjo nuk solli rezultat.
Liria fitoi penallti dhe Liridon Fetahaj me përvojë shënoi për 2-0 (79). Nuk vonoi “vendasit” shënuan edhe me Blendi Memaj për 3-0 (87), ndërsa mysafirët e tëra që arritën të bëjnë ka qenë goli i nderit shënuar në kohën shtesë nga Ferreira Morales (90+2) për përfundimtaren Liria 3-1 A&N [Fitim Susuri 8, Liridon Fetahaj 79p., Blendi Memaj 87 - Ferreira Morales 90+2].
Fitorja çon Lirinë në 15 pikë dhe për momentin skuadra del në pozitën e pestë. Ndërsa A&N ka pësuar vetëm humbjen e dytë të stinorit dhe mbetet mbi Lirinë me një pikë më shumë.