PARA OSE GJATË MARSIT

Pamje nga ndeshja e parë e Kosovës pas lejimit të miqësoreve nga FIFA, Kosova-Haiti/ BOROZANI/ Erdis Driza
Miqësoret me selektor të ri!
16 February, 2018 @9:50
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur pardje se ka aranzhuar dy miqësore përgjatë muajit mars.
Kosova, në Francoville të Parisit në Francë, do të luajë ndaj dy përfaqësueseve afrikane, Madagaskarit dhe Burkina Fasos. Të dyja ekipet kanë garantuar se do të paraqiten me ekipet më të forta të tyre, ndërsa duelet do të zhvillohen në datat e lira nga FIFA për miqësore, 24 dhe 27 mars.
DO TË KETË SELEKTOR
Ndërkaq, Fadil Vokrri, kreu i FFK-së, ka bërë të ditur për Kohën ditore dje se reprezentacioni në këto ndeshje do të dalë me selektor të ri.
Pas largimit të Albert Bunjakit nga detyra në fund të kualifikimeve për “Rusia 2018”, Kosova ka mbetur në dorë të ndihmësit, Muharrem Sahiti.
Edhepse mediat përfolën emra të ndryshëm, Vokrri asnjëherë nuk ka përafruar as emrin e selektorit për të cilin foli.
“Sipas të gjitha gjasave Kosova në këto ndeshje do të paraqitet me selektorin e ri,” ka thënë Vokrri për gazetën në fjalë.
“Kanë mbetur edhe disa detaje të vogla për t’u zgjidhur, por për hir të korrektësisë nuk mund të bëj publik as emrin, por as shtetësinë e tij. Në momentin që finalizohet marrëveshja, do të dalim publikisht për të bërë të ditur trajnerin e ri.”
MIQËSORET
Në ndërkohë, vendosmëria në fjalët se këto ndeshje do të zhvillohen nën drejtimin e trajnerit të ri vërtetohet edhe me deklaratën shtesë sa i përket miqësoreve ndaj Madagaskarit dhe Burkina Fasos.
“Do të jetë rast i mirë për trajnerin e ri që të sheh lojtarët nga afër. Burkina Faso dhe Madagaskari kanë konfirmuar se do të vijnë me ekipet e tyre më të mira,” ka shtuar njëshi i futbollit të Kosovës, Vokrri.
Stadiumi Francoville i Parisit është stadium modest me kapacitet prej 3 mijë ulëseve, të cilën e ka zgjedhur FFK-ja ashtu që t’i ikë shpenzimeve. Edhepse ora e saktë e ndeshjeve nuk është konfirmuar, më 24 mars Kosova pret Burkina Fason, që aktualisht është në pozitën e 57-të të renditjes botërore të FIFA-së, ndërsa më 27 mars Madagaskarin, që aktualisht është në pozitën e 108-të të renditjes botërore të FIFA-së.
Kosova ndërkaq, është mëposhtë e ranguar se të dyja këto përfaqësuese afrikane në renditjen botërore të FIFA-së.