KOLUMNE

Si kaloi gjysmëvjetori te Juventusi?
Shkruan: LUAN MORINA
16 February, 2018 @8:45
Juventusi ka talentë. Nuk është ekipi më i talentuar në Itali. Nuk është ekipi me lojën më të bukur në Itali. Por, është ekipi më i suksesshëm në Itali, jo vetëm dekadën e fundit.
Dhe më së shumti në këtë drejtim u ka ndihmuar Calciopoli që ka qenë një rifillim i freskët, sidomos në rrafshin biznesor. Sot, askush s’mund të matet me ta dhe me këtë avantazh, Juventusi do të dominojë Serie A, jo vetëm këtë sezon.
I vetmi mëkat për këtë Juventus është timonieri i ekipit – Massimiliano Allegri.
Për shkak të tij, ekipi luan lojë që sjell rezultate, por jo patjetër lojë të bukur, sidomos ndaj ekipeve që mund të sfidojnë ata. Largimi i Bonuccit nuk vërehet sivjet. Por, do të vërehet vitin e ardhshëm kur Barzagli dhe Chiellini do të jenë edhe një vit më të plakur.
Caldara është në ardhje, Rugani ka nisur të rritet, e Benatia po kalon sezon të mirë. Nuk di sa mund të jetë lider. Për momentin nuk është ky problem, ama duhet të mendojnë pak më gjatë. Këtë vit Juventusi ka shfaqur të çarat e para në Serie A dhe atë jo nga ekipet me nam. Kanë humbur pikë edhe në Xhenovë.
Një arsye tjetër pse Allegri duhet të ikën janë talentet. Dybala sezonin e parë ka mbetur në bankën rezervë për pjesën më të madhe të sezonit. Është strategji e Allegrit që dalëngadalë të aktivizojë talentët. Ngjashëm ka bërë me Pjacan, i cili tani te Schalke po gjen vend startues dhe golat.
Titulli është akoma i Juventusit. Torinezët nuk e kanë problem të sigurojnë kalimin edhe në rrugëtim në Ligën e Kampionëve. Nuk do ti vendosja në disavantazh pas 2-2 në Torino. Nuk i vendos në disavantazh as ndaj Napolit.
Por, në qershor ju nevojitet rifillimi. Ciro Ferrara, Gianluca Pessotto, e edhe një rikthim i Antonio Contes do të ishte zgjidhje.