KOLUMNE

Si kaloi gjysmëvjetori te Lazio?
Shkruan: LUAN MORINA
17 February, 2018 @16:00
Igli Tare ka bërë punë të zgjuar tek Lazio. Ndoshta pak ka pasur fat edhe me Simone Inzaghin, por si ka arritur të menaxhoj Lotiton, është një mrekulli! Largimi i Bielsas i cili pasi e kanë pritur gati një vit, rrezikoi ti dërgonte në Serie B, ka qenë hapi më i mençur i Lotitos dhe Tares. Shtyrja në largimin e tij në fakt!
Këtë janar arritën të vazhdojnë kontratën e De Vriij duke vendosur një klauzolë që s’do ta linte të shkonte bash belesh! Kanë mbrojtje të mirë, ama kanë shumë vrima që priten të dalin në pah muajve të ardhshëm. Vetëm nëse del të jetë kjo pas kualifikimit në Champions, do të ishte e mrekullueshme për Lazion.
Kualifikimi u nevojitet pasi me paratë që marrin nga UEFA, si dhe shitjen e yjeve si Milinkovic-Savic e Anderson, do të mund të investonin në marrjen e talentëve të ri.
Talentët te Lazio nuk janë edhe aq të shumtë. Asnjë nuk kalon Milinkovic-Savicin dhe Strakoshën, e shumica e të tjerëve nuk janë të denjë për një ekip kampioni. Si rrjedhojë, Lazio është larg të 2000-tave, porse viteve të fundit kurrë nuk kanë qenë më afër tyre.
Kanë qenë kockë tepër e fortë për tu përtypur nga ekipet e mëdha italiane, duke krijuar një identitet ekipi këtë sezon. Kanë shpartalluar ekipe si në Itali ashtu edhe në Evropë, por i nevojitet një rezervë Ciro Immobiles. Si dhe konsistenca e formës së tij.
Një titull eventual në kupë, apo pse jo edhe në Evropë, do të ishte më shumë se që duhet për këtë ekip në rritje. Për momentin, le të vazhdojnë me lojërat e bukura, shumë të kënaqshme për shikuesit neutral!