KOLUMNE

Si kaloi gjysmëvjetori te Interi?
Shkruan: LUAN MORINA
16 February, 2018 @16:00
Nuk është hera e parë që Interi në nëntor është kandidat për kampion, e në shkurt provon të mbetet në zonën që çon në Ligën e Kampionëve. Me ritmin e viteve të kaluara, në fund të prillit do të duhej të ishin në luftë për të rënë nga pozita që dërgon në Europa League pasi që e marrin vetëm si ‘barrë shtesë’ dhe në një mënyrë shmangin sanksionet eventuale nga UEFA.
Sanksionet për të shmangur do të provojnë edhe këtë verë. Transferime të varfëra në janar, për të mbajtur hapin me Lazion që kanë angazhime në Evropë akoma, si dhe në Kupë ku u ka mbetur vetëm edhe një ndeshje.
Me këtë ritëm, falë diferencës që kanë arritur në pjesën e parë të sezonit, nuk dyshoj që do të jenë në Ligën e Kampionëve. Këtë e bazoj në faktin që Roma dhe Lazio janë të përziera ende në garat evropiane dhe lodhja e lojtarëve do të ndikoj më shumë tek ta.
Problemet te Interi kanë nisur që kur janë ndërprerë golat dhe asistimet e Perisicit dhe het-trikat e Icardit. Spalletti ka ruajtur skeletin e ekipit edhe më tej, pa ndryshuar shumë gjëra, as 11-shen startuese dhe kjo i është reflektuar në rezultate.
Që nga barazimi me Juventusin, sikur kanë pasur një goditje psikike, sidomos pas fitores vetëm në penallti në Kupë me Pordenonen.
Problemi kryesor tek Interi vazhdon të jetë rezerva e Icardit. Është sulmuesi i vetëm klasik dhe Eder nuk është se ka bërë punë të dobishme këtë sezon. Pos Perisicit, në ekip mungojnë golashënuesit, e pjesa defensive e mesfushës është më e ashpër se që duhet. Të rralla janë ndeshjet që shpëtojnë pa ndëshkime, sidomos Vecino i cili me kalimin e muajve ka gjetur një formë më të mirë se në fillim të sezonit.
Formën e fillimit të sezonit e ka ruajtur Skriniar që del të jetë veprimi më i mençur i verës tek Interi. Sllovaku ka qenë shtyllë e mbrojtjes dhe përkundër që ka pasur në krahë Ranocchian gjatë lëndimeve të Mirandas, ka arritur të ketë një formë stabile. Pos Skriniarit, gardiani slloven vazhdon të jap paraqitje të shkëlqyeshme.
Paramendoni një kombëtare si Sllovenia, ka dy super-portierë në Oblakun dhe Handanovicin.
Interi ka shansin e përkryer të këndellet kundër Milanit. Do të ishte një goditje me efekt të dyfishtë – ringjallje dhe shpagim pas humbjes në Kupë nga rivalët dhe aterimi nga qielli i rivalëve të qytetit të cilit kanë marrë hov së fundmi.