FERONIKELI-LLAPI
Morina asist e gol, Starova debuton me barazim
1 April, 2018 @16:10
Ndeshja më e bukur e ditës u zhvillua në Gllogovc, ku Feronikeli me trajnerin e ri Sylejman Starova, barazoi ndaj Llapit të rrezikshëm, 2-2.
Gjakovari i Feronikelit, Albutrint Morina, mund të thuhet që ka qenë njeriu i ndeshjes, pasi që ka paralajmëruar lojë të mirë që në minutat e para.
Ai ka pasur rast të mirë në fillim të ndeshjes, ndërsa më pas ka asistuar për Mark Milicajn, që i dha epërsinë vendasve, 1-0.
Por, Llapi nuk u ndal, përkunër dominimit të hershëm të Feronikelit. Së pari tentoi Mentor Zhdrella rrezikshëm dhe shpejt erdhi edhe goli. Por goli erdhi nga Hamdi Namani, që përfiton nga një tollovi në zonë, e më pas Ilir Blakçori shënon me kokë pas një krosimi të devijuar, për të çuar në pushim ekipin e Tahir Batatinës, 1-2.
E, Morina me të nisur pjesa e dytë ka barazuar në 2-2, që ka qenë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes. Deri në fund, nuk ndërroi asgjë në rezultat, përkundër rasteve dhe kështu derbi i pjesës së epërme të klasifikimit, nuk gjeti fitues.
11-shet startuese:
Feronikeli: Maloku, Shala, Hoxha, Prekazi, Haliti, Maliqi, Morina, Milicaj, Hemd, Hoti, Jaupaj. Kryetrajner: Sylejman Starova | Llapi: Beqiri, B.Emini, Jashari, Kadriu, Blakçori, Namani, K.Shabani, E.Shabani, Zeqiri, Zhdrella, Berbatovci. Kryetrajner: Tahir Batatina |