UEFA

Ndërrime të rregullave në Ligë të Kampionëve
27 March, 2018 @16:50
UEFA-ja sot ka zyrtarizuar ndërrimet në Ligë të Kampionëve. Sipas njoftimit të botuar sot, lojtarët do të mund të luajnë për dy klube të ndryshme në të njejtin stinor, pas ndërrimit të rregullave nga shtëpia evropiane e futbollit.
Aktualisht, futbollistët që ndërrojnë ambient në afatin kalimtar të janarit, nuk mund të luajnë për ekipin e ri, nëse kanë luajtur për ekipin e vjetër gjatë të njejtit stinor, që tash e tutje nuk do të vlejë.
Rregulli tjetër i ndërruar në të mirë të ekipeve është që do të lejohet edhe zëvendësimi i katërt në ndeshjet ku luhen vazhdimet gjatë fazës eliminatore.
Gjithashtu, ekipet do të kenë të drejtën që të marrin nga 12 lojtarë rezervë për ndeshjet finale.
ÇKA KA NDËRRUAR?
Pas fazave grupore, ekipet do të mund të regjistrojnë tre lojtarë të ri në ekip, pa larguar të tjerët siç ka ndodhur deri më tani.
Për shembull, Philippe Coutinho nuk mund të luajë për Barcelonën tash në Ligë të Kampionëve, pasi që gjatë vjeshtës ka qenë pjesë e Liverpoolit. Në stinorin tjetër, një gjë e tillë është e mundshme.
Ndeshjet prej TOP16 e tutje (pra prej të tetës së finales e tutje) të Ligës së Kampionëve do të fillojnë në ora 21:00.
Ndërsa në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, dy ndeshje të së martës dhe dy të së mërkurës do të nisin në ora 18:55.
Ndeshjet e fazës grupore deri në çerekfinale të Europa Ligës do të nisin prej orës 18:55 dhe 21:00. Nga çerekfinalja e deri në finale, ndeshjet do të nisin në ora 21:00.
ZËVENDËSIMET:
Zëvendësimi i katërt do të jetë në dispozicion për të gjitha ekipet që shkojnë në vazhdime gjatë fazës eliminatore të garave.
Ekipet që arrijnë finalen e Ligës së Kampionëve, Europa Ligës dhe Superkupën e Evropës do të mund të marrin 23 lojtarë për ndeshje (11 startues + 12 rezervë), e jo 18 (11 startues + 7 rezervë) siç ka qenë zakonisht dhe që vlen deri në fund të këtij stinori.