MIRATOHET DORËHEQJA
Në kërkim të trajnerit të ri
25 November, 2019 @16:14
Të zhytur në krizë rezultatesh, drejtuesit e Lirisë kanë pranuar së fundi vendimin e trajnerit të deritashëm të tyre, Samuel Nikaj, për dorëheqje.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të ekipit në Facebook, është bërë e ditur se Bordi i Lirisë ka pranuar dorëheqjen e shkodranit Nikaj nga detyra e kryetrajnerit në klub.
“Bordi i KF Liria falenderon trajnerin Samuel Nikaj për punën e deritashme dhe i dëshiron suksese në të karrierë në të ardhmen,” është thënë ndër të tjera në komunikatën e klubit bardhezi të Prizrenit.
Përndryshe, Liria në shtatë ndeshjet e fundit të stinorit në Ligë të Parë ka arritur vetëm një fitore.
Vetëm një xhiro para përfundimit të stinorit, Liria do të vihet në kërkim të trajnerit të ri të skuadrës, ashtu që së paku të jetë e gatshme për pjesën pranverore të Ligës së Parë - dhe të vazhdojë kërkimin e rikthimit në elitë.
E kush do të merr detyrën e vështirë në një stinor me plotë befasi në Ligë të Parë, mbetet të shihet.