COPA LIBERTADORES FINAL
Në vazhdime, River triumfon te Libertadores
9 December, 2018 @23:00
Dy ekipet më të mëdha të Argjentinës, kishin eliminuar dy ekipet e mëdha të Brazilit në gjysmëfinale të Copa Libertadores.
River Plate kishte eliminuar Gremion (River 0-1 Gremio dhe Gremio 1-2 River), ndërsa Boca Juniors eliminoi Palmeirasin (Boca 2-0 Palmeiras dhe Palmeiras - Boca 2-2).
Këto rezultate kishin bërë që finalja më e madhe e Amerikës Latine të luhej mes rivalëve të zjarrtë argjentinas.
Ndeshja e parë e luajtur në stadium të Bocas përfundoi 2-2 (Abila 34’, Benedetto 45’ - Pratto 35’, Izquierdoz AG 61’). E ndeshja e kthimit që duheh të luhej në stadium të Riverit, nuk u zhvillua.
Tensione, gaz lotsjellës në autobus të lojtarëve mysafirë dhe shumëçka tjetër çuan në shtyerjen e ndeshjes, së pari për një ditë, pastaj edhe për më shumë - derisa erdh vendimi që kjo ndeshje të zhvillohej në Santiago Bernabeu të Madridit!
E sonte në përballjen e gjigandëve argjentinas në Madrid, nuk kishte fitues pas kohës së rregullt, 1-1 (Pratto 68’ - Benedetto 44’). Goli si mysafir nuk vlen në finale dhe ndeshja shkoi në vazhdime.
E posa nisën vazhdimet, Wilmar Barrios i Bocës mori kartonin e dytë të verdhë dhe la ekipin me dhjetë lojtarë (min. 92’).
Këtë e shfrytëzoi mrekullisht River, kur me një goditje mjeshtërore nga 16m kolumbiani i futur në lojë në minutën e 58 të ndeshjes, Juan Quintero, gjeti këndin me shtyllë të portierit të Bocës, Esteban Andrada, për 2-1 (109’).
Në minutat e mbetura Boca u hap tërësisht për të kërkuar golin e barazimit, ndërsa River shkonte me kundërsulme për të vulosur trofeun më të madh të Amerikës Jugore, të cilën e arriti në sekondën e fundit të ndeshjes, kur Gonzalo Martinez (120’) vrapoi tërë stadiumin për të shënuar për 3-1 përfundimtare, pasi që krejt ekipi i Bocas kishte dalë për të shënuar nga korneri i fundit i tyre në ndeshje.
Fitues i Copa Libertadores për vitin 2018, River Plate, me trajner, ish lojtarin e Monacos e PSG-së, Marcelo Gallardo.